Dezinfektohen konviktet, a po përgatitet një karantinë?

Konviktet e studentëve në Prishtinë janë dezinfektuar të gjitha, dhe nga fotot shihet që rrobat e studentëve janë larguar.

Nga Qendra e Studentëve thonë se kjo është vetëm procedurë dezinfektimi pas rasteve të konfirmuara me koronavirus në Kosovë.

‘’Jemi duke i pastruar edhe dezinfektuar se kur kanë dalë studentat atë ditë i kanë lënë krejt mbeturinat. Pasi të përfundoj pastrimi e dezinfektimi, i kthejmë sendet në vendet e veta’’, ka thënë Fatmir Sfishta, drejtor i Qendrës së Studentëve.

Në vendin tonë deri më tani janë konfirmuar 15 raste me virusin COVID-19.

Javën e kaluar janë marrë masat e para nga Qeveria e Kosovës, dhe në njërën nga to kërkohej që pas ndërprerjes së mësimit studentët të ktheheshin nëpër qytetet e tyre dhe të lironin konviktet.

Lul Raka nga QKUK kishte konfirmuar në emisionin Pressing se në QKUK janë diku 100 shtretër që mund të përdoren në raste të shpërndarjes së virusit.