Detajet e reja nga koalicioni LDK- AKR që do të nënshkruhet sot

Lidhja Demokratike e Kosovës së bashku me Aleancën Kosova e Re pritet që sot pasdite ta zyrtarizojnë koalicionin e tyre për zgjedhjet e 14 shkurtit 2021.

Anëtari i AKR-së, Vesel Makolli, ka treguar për Ballkani.info se deri në ora 18:00 kanë kohë ta dorëzojnë koalicionin e tyre eventual.

Sipas tij, kërkesa e AKR-së është për koalicion, ndryshe prej kërkesës së LDK-së që dëshiron listë të përbashkët.

“Sot besoj pasdite do të zyrtarizohet marrëveshja në mes të AKR-së dhe LDK-së për të shkuar bashkë në zgjedhjet e reja parlamentare. Kërkesa jonë është që të hyjmë në koalicion me LDK-në, ndërsa ata janë për numra, mirëpo kjo do të qartësohet edhe njëherë dhe besoj deri pasdite do të ju informojmë”, është shprehur Makolli për Ballkani.info.

Ndërsa, këshilltari i AKR-së Jetlir Zyberaj, kishte thënë se AKR do të jetë në listën e LDK-së dhe deri më tani janë 10 deputetë në garë nga ana e partisë së tyre.

 “Do të jetë deri në 10, por nuk është definitive se kemi kohë deri në 5 ditë për të dorëzuar listat për kandidat për deputet”, kishte thënë ai.

I pyetur rreth kandidaturës së Pacollit për president, ai tregoi se deri më tani nuk është bërë asnjë diskutim, gjersa kishte shtuar se kjo çështje duhet të jetë problem i të gjithë subjekteve politike dhe jo i një subjekti politik./Ballkani.info./