Detaje të reja të ngjarjes së rëndë ku një person e vrau djalin e dajës për një karrocë

Për një karrocë po dyshohet se nisi i gjithë sherri ndërmjet djalit të dajës dhe atij të hallës pasditen e djeshme në Lipjan. Nga përleshja në mes të familjarëve mbeti i vrarë një person, Fadil Krasniqi 42-vjeçar, ndërkohë dy të tjerë janë arrestuar.

Prokuroria pas hetimeve të para tha se e gjitha ngjarja ka ndodhur për motive pronësore.

“Motivet e ngjarjes kanë të bëjnë për arsye pronësore. Personat e përfshirë kanë lidhje familjare me njëri tjetrin (djali i hallës me djalin e dajës). Dy persona janë ndaluar dhe është bërë kërkesë për caktimin e paraburgimit” kanë thënë nga Prokuroria për Ballkani.info.

Ndërkohë për rastin ka dhënë detaje sot edhe policia e Kosovës.

“Rr. Lidhja e Prizrenit, Lipjan. Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj K/Shqiptar të cilët pas një përleshje fizike që kishin pas me viktimën mashkull K/Shqiptar me ndonjë mjet të mprehtë e kishin goditë atë i cili si pasoj e lëndimeve kishte ndërruar jetë në QKUK”, deklarohen nga policia.

Ndërkohë, si pasojë e rastit edhe dy të dyshuarit e ndaluar kanë pranuar tretman mjekësor.

“Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore dhe prokurori i shtetit. Nga njësiti përkatës policor është gjetur dhe konfiskuar një thikë. Të dyshuarit pas intervistimit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje, ndërsa trupi i pajetë i viktimës dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, rasti vazhdon të hetohet”, thonë nga policia.

Viktima, F.K, i lindur në vitin 1977, ishte komshi dhe familjar me të dyshuarin për vrasje, tashmë edhe familjar.

loading…