Bashkë me ATK-në

Detaje të reja| Policia e Kosovës po bastis në tri lokacione në veri, dyshohet për biznes ilegal të Bankës së Postës serbe (FOTO)

Policia e Kosovës ka hyrë në të paktën tri degë të Bankës së Postës serbe në veri. Në vendngjarje janë edhe pjesëtarët e EULEX-it dhe KFOR-it.

Policia e Kosovës ka thënë së bashku me Administratën Tatimore dhe me urdhër të Prokurorisë po kontrollojnë “biznesin e paligjshëm”, shkruan Ballkani.info.

Raportohet se një veturë policore është para filialit të kësaj banke në objektin “Beriljska” në pjesën veriore të Mitrovicës, pastaj në degën kryesore të kësaj banke (Rr. Vlade Çetkoviq), por edhe para filialit në Zveçan.

Përballë objektit ku ndodhet dega kryesore e Bankës së Postës në Mitrovicë është vendosur shirit i verdhë, ndërsa para hyrjes së kësaj banke ndodhet edhe një veturë e policisë, shkruan Kossev.

Dy makina të tjera policie janë parkuar vetëm pak metra më tutje. Herë pas here, automjete të tjera të PK-së patrullojnë në afërsi të ndërtesës. Përballë pallatit në këtë moment ndodhen vetëm tre policë.

Në Zveçan shihet edhe një automjet i KFOR-it grek, i cili shërben për vëzhgimin e situatës në terren.

Pranë Postës në Zveçan ka edhe zyrtarë policorë të EULEX-it, duke përfshirë edhe pjesëtare të policisë. Ata veshin pulovra, në të cilat është theksuar mbishkrimi “EULEX-Monitorim”.

Me ta janë edhe disa persona me rroba civile, siç supozohet – nga Administrata Tatimore. Të paktën njëri prej tyre ka veshur edhe jelek antiplumb.

Disa oficerë policie mbajnë pajisje speciale.

Lexuesit raportojnë se nuk bëhet fjalë vetëm për këto degë, por policia ka hyrë në pjesën më të madhe të ambienteve pasditen e sotme. Po këto informacione deri më tash janë të pakofirmuara.

“Kemi marrë informacione se në disa lokale në veri të Kosovës po bëhen biznese ilegale. Me vendim të prokurorit jemi duke i kontrolluar këto ambiente dhe në vend është i pranishëm edhe administrata tatimore”, ka thënë Veton Elshani, zëvendëskomandant i PK-së për rajonin e veriut.

Prezenca e policisë që nga mëngjesi i sotëm, në pjesën veriore të Mitrovicës është shtuar dukshëm, edhe në periferi të qytetit – si përmes automjeteve të parkuara të policisë, ashtu edhe përmes atyre në patrullë. /Ballkani.info/