Policia e Kosovës

Detaje të reja nga vrasja e 30-vjeçarit në Ferizaj: I dyshuari plagoset nga policia, dërgohet për trajtim në QKUK

Policia e Kosovës ka njoftuar se një person ka vdekur si pasojë e plagëve të marra nga gjuajtja me armë.

I dyshuari kryesor për këtë rast është plagosur fillimisht nga policia dhe më pas është dërguar për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

“Nga hetimet e para, dyshohet se personi me inicialet Q.J ( M/K) i moshës 30-vjeçar, ka shtënë me armë zjarri në personin tjetër me inicialet G. H (M/K) i moshës 30-vjeçar, i cili si pasojë e plagëve nga arma e zjarrit ka vdekur në vendin e ngjarjes, kjo e konfirmuar nga mjekët e spitalit të Ferizaj”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Policia ka shpjeguar edhe rastin se si ka ardhur deri te kapja e të dyshuarit, i cili kishte kthyer armën në drejtim të policëve derisa njëri nga policët ka shtënë në drejtim të tij.

“Afër vendit të ngjarjes, një njësi e policisë me automjet zyrtar civil dhe pjesëtarë të policisë me rroba civile, në detyrë zyrtare, kanë vërejtur të dyshuarin me armë zjarri në dorë dhe kanë lëshuar fillimisht urdhër verbal që të ndalet, por i dyshuari nuk ka përfillur urdhrat e policisë. I dyshuari me pistoletë në dorë, dyshohet që, në një moment i kthehet zyrtarëve policor dhe njëri zyrtar policor, për ta shmangur rrezikun e drejtpërdrejt ndaj tij, kolegut të tij dhe të tjerëve përreth, e përdor armën e zjarrit në drejtim të të dyshuarit. I dyshuari, menjëherë dërgohet për ndihmë mjekësore në Qendrën Emegjente në Ferizaj, e më pas për tretman të mëtutjeshëm mjekësor në QKUK – Prishtinë dhe sipas mjekëve, gjendja shëndetësore e tij është stabile dhe jashtë rrezikut për jetën, ndërsa policia i ka marrë masat për sigurinë e tij”, thuhet në njoftimin e Policisë.