Fushë Kosovë

Detaje se si punëtori dogji autobusin për “ta frikësuar” pronarin e kompanisë që t’ia japë rrogën

Punëtori, i cili u arrestua të mërkurën në mbrëmje nën dyshimin se ia kishte vënë zjarrin autobusit të kompanisë ku punonte, ka thënë për KOHËN se autobusin e kompanisë e kishte djegur për “ta frikësuar” pronarin e kompanisë, në mënyrë që t’ia jepte pagën.

Policia e Kosovës, në raportin 24-orësh, të enjten, njoftoi për rastin që kishte ndodhur në zonën industriale në Fushë-Kosovë. Aty thuhej se dyshohet që rasti ka të bëjë për shkak të mosdhënies së pagës. I dyshuari ishte liruar në procedurë të rregullt.

E në një deklaratë për KOHËN, punëtori B.K. (emër i njohur për redaksinë) ka thënë se atij i ishte bërë presion që të paguante dëmin për zjarrin në një trafikë, për të cilën gjë ka thënë se nuk ishte ai fajtor.

“Unë aty kam qenë mekanik i autobusëve. Aty ka qenë një trafikë, e cila një ditë u kaplua nga zjarri, shkaqet nuk dihen. Kur ka ardhur koha me e marrë rrogën, mua më kanë thënë se duhet të punosh për ta paguar dëmin që është shkaktuar nga ai zjarr. Gjatë gjithë ditës më kanë bërë presion dhe më kanë kërcënuar. Mandej unë thash t’i frikësoj që të ma japin rrogën time. Aty kam qenë pa kontratë pune, asgjë s’më bajshin. Unë po t’i shkruaj krejt siç ka ndodhë. Për të mirë të punëtorëve tjerë t’i dhashë krejt informatat. Se me të vërtetë punëtorët po hjekin shumë në sektorin privat, si unë që s’kam pasur kurrfarë dokumenti. Tmerr është kjo. Borxh deri sot nuk i kam askujt e as s’kam qejf me më pasë. Aty ja kam kall 1 autobus, tjetër herë ja kalli krejt. Bonja me dije. Respekt!”, ka thënë ai për emisionin Express në KTV.

E në anën tjetër, pronari i kompanisë, ka fajësuar punëtorin për djegien e trafikës. Ka thënë se ai kishte harruar ngrohjen në rrymë.

“I kemi kërkuar të kompensojë një pjesë të dëmit, por jo të tërin. Ai nuk e ka bërë. Dëmi ishte në vlerë 2000 euro. S’ka sjellë dokument për kontratë”, ka thënë ai.

Për rastin, kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka thënë se ky rast edhe të tjerët kanë të bëjnë me mungesën e kryerjes së obligimeve nga pronarët e kompanive.

“Këto gjëra ndodhin gjithkund në botë sepse punëtori shkon për të punuar dhe të marrë atë që meriton. Realisht ne si sindikatë në një farë forme nuk e çmojmë këtë rast, por megjithatë në aspekt sindikal po themi se për të ardhur deri te gjendja që ta bësh djegien e një autobusi duhet të kalojë bajagi një mllef shumë i madh. Punëtori në momente të caktuara e sheh pronarin e kompanisë si punëdhënës që s’i kryen obligimet e prapa shpinës e sheh shtëpinë e vet që s’ka pesë kilogramë miell. Si mund të dënohet një punëtor që s’ka as kontratë pune fare”, ka thënë ai.

Sipas tij, raste të tilla mund të priten më shpesh në Kosovë pasi “shumë kompani po e rrisin kapitalin e ndaj punëtorit nuk i kryejnë obligimet bazike”.

Pasi që punëtori thuhet se është në moshë të re, Azemi u shpreh se kjo tregon që fuqia punëtore e arsyeshme ka ikur jashtë vendit për shkak të situatës në Kosovë.