Pejë

Detaje për rastin e mbrëmshëm pozitiv në Pejë, nuk është rast i ri

Mbrëmë janë konfirmuar 14 raste të reja me COVID-19 në Kosovë. Një prej rasteve të konfirmuara është nga Peja. Detaje rreth këtij rasti ka dhënë Drejtori për Shëndetësi, Petrit Loci.

Në një prononcim për Express, Loci ka thënë se rasti që doli mbrëmë pozitiv nuk është rast i ri, por ri-testim.

Ai ka treguar se sot në këtë komunë do të ketë vetëm ri-testime, për të parë nëse personat e infektuar janë shëruar.

“Rasti për të cilin njoftoi mbrëmë Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike nuk është rast i ri, por ri-testim. Ka dal pozitiv më herët e mbrëmë është ritestuar. Sot do të ri-testohen disa persona, por ende nuk dihet numri i saktë, meqenëse ende nuk është përfunduar lista”, ka thënë Loci për Express.

Ndryshe, dje në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 200 mostra të marra nga Klinika Infektive dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren.

Prej këtyre mostrave të testuara, 14 kanë dalë pozitive.

 “Sot më 10 maj 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 200 mostra të marra nga Klinika Infektive dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren. Me SARS-CoV-2, janë konfirmuar 14 raste”, thuhet në njoftim.

Rastet pozitive janë raste kontakti nga Gjilani, Prizreni, Peja, Vushtrria dhe Prishtina.

Deri tani në gjithë vendin janë konfirmuar 884 raste me koronavirus. Prej këtij numri, 655 persona janë shëruar, derisa 28 kanë vdekur.