Llapjani i infektuar me koronavirus është 62-vjeçar, i cili para disa ditësh ka ardhur nga Italia. Kompania e kontraktuar nga Komuna e Podujevës është nisur për në Dumnicë, për ta dezinfektuar shtëpitë në lagjen ku banon i prekuri me koronavirus.

Kryetari i Podujevës në detyrë e ka konfirmuar se i infektuari ka ardhur nga italia me aeroplan në aeroportin “Adem Jashari”.

“Personi i infektuar me virusin Corona është një qytetar që para pak ditësh është kthyer nga Italia. Kompania e kontraktuar nga Komuna e Podujevës për dezinfektim menjëherë ka shkuar në fshatin Dumnicë, për t’i dezinfektuar shtëpitë në lagjen prej nga vjen i prekuri me coronavirus”, ka thënë Nexhmi Rudari.

Edhe familjarët e të infektuarit do t’i kryejnë analizat nëse janë infektuar me virusin.

Rudari ka njoftuar se ka filluar dezinfektimi i objekteve të QKMF në Podujevë, Stacionit të Policisë, Objektit të Administratës Komunale dhe objekteve të tjera publike.

Qeveria e Kosovës ka ndarë 10 milionë euro për t’i bërë ballë virusit që është përhapur në shumicën e vendeve të botës. Sot është njoftuar se Qeveria ka vendosur të shtyjë pagesat e kësteve të kredisë dhe ka marrë edhe masa tjera për t’u përballur me këtë situatë.

 Koronavirusi ka prekur shumicën e vendeve të Europës përfshirë edhe vendet e rajonit, si Shqipëria, Maqedonia e Serbia. Koronavirusi nisi në Wuhan të Kinës ku fillimisht virusi ishte përcjell nga shtazës e më vonë kaloi edhe te njeriu.

Ende s’është gjetur vaksina me të cilën do të parandalohej shpërndarja e virusit. Për t’u mbrojtur nga ky virus kërkohet të mos kini kontakte me njerëz, të mos qëndroni në ambiente të mbyllura dhe t’i kushtoni kujdes higjienës, duke përfshirë larjen e shpeshtë të duarve. Deri më tash, shumica e të prekurve me koronavirus janë shëruar. Kanë pasur probleme vetëm të moshuarit dhe ata që kanë pasur edhe më herët probleme shëndetësore.