Mëngjesin e sotëm Policia e Kosovës ka kapur 113 kilogramë heroinë në rrugën “Jakov Xoxa” në Prishtinë. Për këtë rast janë arrestuar katër persona, ndërsa kjo ngjarje dyshohet të jetë e lidhur me një vdekje të dyshimtë e cila ndodhi të dielën në të njëjtin vend.
Pasditen e së dielës një person është gjetur i vdekur në banesën e tij në rrugën “Jakov Xoxa” në Prishtinë, përderisa rrethanat e vdekjes së tij janë të panjohura.
Burime të Gazetës Express kanë mësuar se kjo vdekje e dyshimtë është e lidhur me aksionin e sotëm të Policisë ku janë gjetur dhe konfiskuar 113 kg substanca narkotike të llojit heroinë, ku u arrestuan katër persona të dyshuar, S.Sh, M. Gj, Xh. Sh dhe M. K.
Policia ende nuk e ka dhënë versionin zyrtar lidhur me këtë ngjarje, por sot do të mbajë konferencë për media ku do të sqarojë rrethanat e aksionit ku u gjet një sasi e madhe e heroinës si dhe vdekjen e dyshimtë në po të njëjtin vend.







