Detaje nga Policia/ I riu nga Deçani humbi jetën duke prerë dru

Para pak minutash Ballkani.info ka raportuar për një tjetër ngjarje të rëndë në Deçan, ku një 34-vjeçar është dërguar i vdekur në Qendrën e Mjekësisë Familjare.

Rastin për Gazetën Demos e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Pejës, Driton Rugova.

“Rreth orës 13:40 minuta, Policia është informuar nga Qendra e Mjekësisë Familjare në Deçan, se një person ka arritur pa shenja jete, sipas ekipit mjekësor. Njësitë relevante kanë dalë në vendin e ngjarjes, po ashtu edhe prokurori i shtetit. Rasti është duke u hetuar”, ka deklaruar Rugova.

Mësohet se viktima është 34-vjeçar nga fshati Pobërgjë i Deçanit, ndërkaq në momentin tragjik ka qenë duke prerë dru në Bjeshkët e Vokshit.

Ndryshe, një ngjarje tjetër tragjike ka ndodhur mëngjesin e sotëm në fshatin Lloqan të Deçanit, ku një i ri është gjetur i djegur në shtëpi.

Policia ka bërë të ditur se viktima është gjetur i karbonizuar.

“Sot me datë 17.12.2021, rreth orës 06:35, Policia është i formuar se në fshatin Lloqan-Deçan, një shtëpi është duke u djegur, me të marrë informatën Policia dhe zjarrfikësit kanë dalë në vend ngjarje, dhe gjatë intervenimit nga zjarrfikësit është vërejtur se një person është brenda i djegur (karbonizuar), vdekja e viktimës është konstatuar nga ekipi mjekësor. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet kompetente dhe Prokurori i shtetit, me urdhër të Prokurorit trupi i pajetë dërgohet ne institutin e mjekësisë ligjore ne Prishtinë (IML) për obduksion dhe rasti cilësohet si “Hetim i vdekjes”“, ka deklaruar Rugova.

Për vdekjen e të riut ka njoftuar edhe kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj.

“I rëndë dhe pikëllues lajmi për ndarjen tragjike nga jeta, e të riut  Mentor (Canë) Himaj nga fshati Lloqan komuna e Deçanit. Ngushëllime familjes Himaj, miqve dhe të gjithë qytetarëve të Deçanit!”, ka shkruar Ramosaj në Facebook.