Dështon plotësim ndryshimi i Ligjit për Këshillin Ekonomiko-Social

Megjithëse deputetët e Kuvendit po diskutojnë një numër të madh projektligjesh, mungesa e kuorumit është bërë shkak i shtyrjes së miratimit të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Ekonomiko-Social. I njëjti nga koalicioni qeverisës u vlerësua si i nevojshëm dhe mirë, ndërsa dy partitë opozitare thanë se projektligji ka mangësi të mëdha.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica tha ky projektligj është i rëndësishëm meqë avancon promovimin e dialogut social në vend.

 “Objektivi kryesor i këtij projektligji është qasja gjithëpërfshirëse e partnerëve social në këtë mekanizëm që ka për qëllim promovimin e dialogut social, duke u përshtatur kritereve dhe kërkesave edhe të Bashkimit Evropian, të gjitha këto për faktin se përmes dialogut social liria e asocimit dhe të drejtat bazike të punëtorëve dhe punëdhënësve janë një bazë e nevojshme për zhvillimin dhe funksionimin adekuat të politikave të punësimit dhe atyre socio-ekonomike”, tha ai.

Ndërsa, deputetja e Vetëvendosjes Mimoza Kusari-Lilaj, tha se duhet të ketë ribërje të paketës së ligjeve të cilat duhet ta kenë së pari Ligjin e Punës dhe pastaj të trajtohen projektligjet tjera.

“Argumenti kryesor në kundërshti me këto dy projektligje është fakti se nuk është pjesë Ligji i Punës i cili duhet të jetë ligj ombrellë për të dy Projektligjet që sot prezantohen. Do të thotë ne duhet të kemi së parin ligjin bazë i cili ka ndjell debat mjaftë të hovshëm në legjislaturën e kaluar dhe ministri e di ka qenë përgjegjës edhe në atë kohë që edhe Projektligji për Këshillin Ekonomik-Social ka pasur nevojë për ndryshime më përmbajtjesore. Sot ka ardhur në Kuvend një version pak më i ndryshuar nga versioni i vitit 2018, ndërsa ka edhe komente dhe punë të tjera që janë propozuar për këtë projektligj që në kuadër të grupeve punuese që nuk janë pjesë e këtij projektligji…Ka nevojë për rikthim dhe gjithashtu ribërje të paketës së ligjeve të cilat do ta kenë së pari ligjin bazë, Ligjin e Punës dhe pastaj të trajtohet edhe Projektligji për Këshillin Ekonomik-Social dhe ai i Inspektoratit”, tha ajo.

Por përkrahje për këtë projektligj kërkoi deputeti i LDK-së, Fidan Rakaliu.

“Objektivat kryesore që synohet të arrihen në procesin e ndryshimit të ligjit, e të cilat janë në harmoni me prioritetet e qeverisë janë e strukturimi dhe zbatimi i drejtë i dispozitat e projektligjit dhe adresimi e evitimi i çështjeve problematike në mënyrë që mos të ketë vështirësi praktik të këtij projektligji”, tha ai.

Ndërsa, deputeti i PDK-së, Ferat Shala tha se ata do të përmbahen nga votimi për këtë projektligj.

“Ky projektligj ka disa të meta substanciale, saktësisht me atë që është afru nuk ka arritur të qartësojë se pse po ndryshohet Ligji i vjetër”, tha ai.

Ndërsa përkrahje i dhanë grupet parlamentare të AAK-së dhe Nimsa-ARK.