Seanca e Kuvendit të Junikut dështon për shkak të mungesës së kuorumit – nuk miratohet buxheti i vitit 2026
Në Komunën e Junikut, sot është mbajtur një mbledhje e jashtëzakonshme e Kuvendit Komunal, me një pikë të vetme në rendin e ditës – miratimin e buxhetit komunal për vitin 2026. Mbledhja është thirrur në ditën e fundit ligjore sipas afateve të përcaktuara për dorëzimin e buxheteve komunale.
Sipas njoftimit të kryetarit të Junikut, Ruzhdi Shehu, seanca ka dështuar për shkak të mungesës së kuorumit, pasi asambleistët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) nuk kanë marrë pjesë në mbledhje. Shehu thekson se mospjesëmarrja e tyre ka ardhur pas një vendimi nga struktura e partisë në Deçan.
Në reagimin e tij publik, kryetari aktual i Komunës, Ruzhdi Shehu, ka theksuar se “përsëri eksponentë nga jashtë po vendosin për fatin e Junikut dhe të qytetarëve të tij”, duke e cilësuar këtë veprim si “bllokim të qëllimshëm të interesave komunale”.
Në të njëjtin njoftim, Shehu ka falënderuar asambleistët e Lëvizjes Vetëvendosje, z. Lulzim Gacaferi dhe znj. Eliza Pepshi, për pjesëmarrjen e tyre në seancë. Ai ka vlerësuar “qëndrimin e tyre institucional dhe angazhimin në mbrojtje të interesit të përgjithshëm të Junikut, pavarësisht bindjeve politike”.
Në buxhetin e propozuar për vitin 2026 ishte paraparë ndër të tjera edhe rikonstruksioni i rrugës së Zharres, ku ndodhet lapidari i heronjve Arif Gjocaj, Shkelzen Gacaferi dhe Avdyl Jasiqi – vend ku më 28 korrik 1998 kanë rënë këta tre heronj të Junikut.
Sipas Shehut, mospasja e buxhetit rrezikon zbatimin e projekteve infrastrukturore dhe pagesat për punonjësit komunalë, si dhe ndikon në zhvillimin ekonomik të komunës. Ai ka akuzuar Agron Kuçin, kandidatin e AAK-së për kryetar të Junikut, se po “bllokon qëllimisht buxhetin për qëllime politike”.
“Juniku nuk do ta tolerojë këtë qasje. Me 9 nëntor, qytetarët do ta japin përgjigjen e tyre në kutitë e votimit”, ka përfunduar Shehu në reagimin e tij.







