Tensione

Dështon mbledhja e CEFTA-s në Prishtinë, delegacioni serb kërkon heqjen e taksës

Delegacioni i Kosovës dhe ai i Shqipërisë janë larguar sot nga takimi i rregullt i Komitetit të Përbashkët të CEFTA-s në Prishtinë.

Megjithë tensionet e shumta në raport me Kosovë, përfaqësuesit e Qeverisë së Serbisë kanë marrë pjesë sot në takimin e rregullt të Komitetit të Përbashkët të CEFTA-s në Prishtinë në mënyrë që, sipas mediave serbe, edhe një herë të përçonin mesazhin e paqes dhe tolerancës dhe të tregojnë dëshirën e mirë që në mënyrë konstruktive të tentojnë të bisedojnë dhe ta zgjidhin çështjen e taksës, si dhe të respektohen mekanizmat dhe procedurat e CEFTA-s, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Serbisë.

Serbia, sipas njoftimit, ka pranuar që takimin ta hapin se bashku UNMIK-u dhe institucionet Kosovës, edhe pse, sipas tyre, kryesimin e takimit duhet ta bëjë vetëm UNMIK-u, bazuar në marrëveshjen e CEFTA-s, transmeton Ballkani.info.

Pasi që përfaqësuesi i Serbisë ka folur në fillim të takimit dhe ka kërkuar që Kosova menjëherë ta heqë taksën për mallrat serbe, përfaqësuesit e Kosovës e kanë lëshuar takimin.

Më pas, UNMIK-u e ka vazhduar kryesimin e takimit, mirëpo pas largimit edhe të Shqipërisë, mbledhja ka mbetur pa kourum dhe takimi është ndërprerë.

“Lëshimi i takimit, të të dy delegacioneve, është sabotim i drejpërdrejt i tentimit që përmes rrugëve paqësore të zgjidhen problemet”, thuhet në njoftimin e qeverisë së Serbisë. /Ballkani.info/