Dështon gjykimi për keqpërdorim me mantela në spitalin e Gjakovës
Gjykimi ndaj tetë të akuzuarve për një rrjet të keqpërdorimit me mantelat për stafin e spitalit ka dështuar për shkak të mosprezencës së pesë të akuzuarve.
Tetë të akuzuarit, dy prej të cilëve përfaqësues të një biznesi, si dhe drejtori ekzekutiv i spitalit “Isa Grezda” Ahmet Asllani, akuzohen nga Prokuroria e Gjakovës se manipuluan me numrin e mantelëve të cilat ishin paguar nga spitali.
Drejtori i Spitalit Rajonal të Gjakovës “Isa Grezda” Ahmet Asllani bashkë me Mirlinda Mullahasani, Mentor Bytyqi, Kumrije Kameri dhe Skender Ndrecaj nuk ishin prezentë para gjykatës, raporton kallxo.com.
Ndërsa Ahmet Asllani përmes avokatit të tij Prenk Pepaj, me parashtresë të veçantë i ishte drejtuar Gjykatës duke e arsyetuar mungesën e tij dhe të kolegëve të tij.
“Meqenëse sot zyrtarisht Spitalin e Gjakovës do ta vizitojë Ministri i Shëndetësisë dhe këtu i mbrojturi im bashkë me punëtorët tjerë të spitalit janë të obliguar të jenë prezent gjatë vizitës së ministrit, andaj kërkoj nga gjykata që kjo seancë e sotshme të shtyhet”- thuhet në parashtresën e avokatit Pepaj.
Ndërkaq gjyqtari Shaqir Zika, gjykimin e sotëm e shtyu për nësër, ku palët do të prezentojnë kundërshtimet e tyre lidhur me aktakuzën.
Prokuroria i akuzon që të tetë punëtorët se kanë ndërtuar një rrjet të keqpërdorimit me mantela për stafin e spitalit.
Në gjykimin e sotëm ishin të pranishëm, Flamur Zeneli, Adnan Brovina dhe Mirlinda Shehu-Kaqi.
Në seancën e kaluar, të gjithë të akuzuarit për keqpërdorim u deklaruan të pafajshëm për veprat që ju ngarkohen.
Sipas aktakuzës, këta të akuzuar furnizimet me mantela për spitalin që kryheshin me sasi më të vogla në letra i shënonin në sasi më të madhe të mallit.
Tetë të akuzuarit, dy prej të cilëve përfaqësues të një biznesi, si dhe drejtori ekzekutiv i spitalit “Isa Grezda” Ahmet Asllani, akuzohen nga Prokuroria e Gjakovës se manipuluan me numrin e mantelëve të cilat ishin paguar nga Spitali.