Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka konfirmuar se kanë kërkuar nga Qeveria e Shqipërisë që t’ua mundësojë vaksinimin anti-Covid të mësimdhënësve nga Kosova. Ai ka thënë se më pas Shqipërisë i kishin mbetur vetëm disa doza të vaksinave Sinovac nga Kina dhe nuk kanë dashur që mësimdhënësit kosovarë t’i vaksinojnë me to.

“Kam kërkuar nga ministrja Manastirliu që të mundësohet vaksinimi i mësimdhënësve”, ka pohuar Vitia.

“Mirëpo fatkeqësisht në ndërkohë, numri i vaksinave Pfizer dhe AstraZeneca janë hargjuar në Republikën e Shqipërisë dhe kanë ngelur vetëm vaksinat Sinovac me prodhim nga Kina. Dhe për arsye se në Republikën e Kosovës ne edhe po të donim, na ndalojnë ligjet që të importojmë produkte që nuk janë të regjistruara në EMA dhe në këtë situatë, ne nuk e kemi parë të arsyeshme që mësimdhënësit tanë të vaksinohen me vaksinat të cilat ne nuk mund të garantojmë për to”, ka thënë Vitia.

“Kjo është arsyeja pse është shtyrë procesi”, ka theksuar ai.

Vitia ka thënë se ministrja e Shëndetësisq në Shqipëri i ka thënë se vaksinimi i mësimdhënësve kosovarë do të shqyrtohet sërish kur do të jetë i mundur.

“Ministrja Manastirliu më ka thënë se në momentin kur do të ketë prapë doza nga Pfizer dhe AstraZeneca, të ndodhë ky vaksinim në një rast tjetër”, tha Vitia.