Dëshmitarja Edona Sallahu ka thënë se e akuzuara Mimoza Beqiri e kishte këshilluar atë se si do të mund të regjistrohej si studente në Universitetin e Prishtinës.

Një deklarim të tillë dëshmitarja Ramadani e bëri të mërkurën në rastin ku bashkë me Beqirin për falsifikimi të dokumenteve rreth regjistrimit të studentëve në Universitetin e Prishtinës po akuzohen edhe Ardian Hamiti, Behare Bajrami dhe Betim Ismajli. Në këtë rast, e pandehura Bajrami po akuzohet edhe për “keqpërdorim të detyrës zyrtare”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Kom mendu që Mimoza po i din se pak a shumë rregullat, edhe pak a shumë ka qenë njëfarë premtimi që ka mundësi që na m’u pranu, edhe përmes këshillave të saj kemi mundu që edhe ka mundësi me u pranu, premtim jo po ma shumë si këshilla çka me bo, qysh me bo”, tha dëshmitarja Sallahu.

Fillimisht, Sallahu duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Halim Borovci ka thënë se në vitin akademik 2013-2014 kishte aplikuar në Fakultetin e Mjekësisë si student por që nuk ishte pranuar.

Më pas, ajo tha se ka kolegët e saj është përfolur se ekziston edhe një listë plotësuese si mundësi e regjistrimit në fakultet, për fëmijët prindërit e të cilëve janë veteranë të luftës.

Sallahu mohoi se kishte takuar ndonjë zyrtar të UP-së, por ajo tha se në duar kishte pasur vetëm një vërtetim të cilin ia kishte siguruar tani e akuzuara Beqiri.

“Nuk më kujtohet hollësisht, mirëpo ka qenë një vërtetim që m’u ka sjell nëpër duar të cilin ma ka siguruar Mimoza, sa i përket përmbajtjes së vërtetimit kanë qenë të dhënat personale 3-4 rreshtat e parë dhe drejtimi”, tha ajo.

Mirëpo, ajo tha se tutje nuk i kujtohej se çfarë kishte vepruar me atë vërtetim.

“Më pas, unë kom ndjek ligjëratat deri në janar-shkurt kur ka dal afati për provime, dhe kom tentuar të qasem në SEMS mirëpo nuk kom pas qasje sepse nuk kam figuruar askund”, tha tutje dëshmitarja Sallahu.

Sipas saj, e akuzuara Beqiri e kishte këshilluar atë që të shkoj në Polici dhe të shpall të humbur kuletën me dokumente që në mesin e këtyre dokumenteve kinse e ka pasur edhe ID e fakultetit.

‘Mu realisht m’ka këshillu Mimoza që me thënë që kinse mu më ka humbur kuleta edhe unë aty e kom pas ID, e unë në fakt as nuk e kom pas ID, po masanej kur e kom shpall atë si të humbur kur më kanë thirr policia e kom kuptu se çka kam bërë edhe familjaret e mi më kanë kritiku po unë kom mendu që përmes qësaj mënyre ko me mujt mu pranu’, tha Sallahu.

E njëjta tha se ky ka qenë një rast i rrejshëm ku edhe prej atij momenti kishte filluar të ndiqet penalisht.

“Prej këtij momenti mandej kom heq dorë edhe s’kom pas qef as me pas kontakte me të (Mimozën)”, tha e njëjta.

Për këto këshilla, Sallahu deklaroi se asnjëherë e akuzuara Beqiri nuk ka kërkuar para e as nuk i ka dhënë të njëjtës.

“Jo as nuk ka kërkuar e as nuk i kom dhënë asnjëherë”, tha ajo.

E duke u përgjigjur në pyetjet e të akuzuarës Beqiri, Sallahu ka mohuar se babai i saj është polic ose që ka punuar ndonjëherë në polici.

Por ajo tha se babai i saj është veteran i luftës me dokumente.

Për dëshminë e saj, vërejtje pati e akuzuara Beqiri sipas së cilës, të gjitha deklarimet e dëshmitares Sallahu nuk janë të vërteta.

Paraprakisht, në këtë seancë janë dëgjuar edhe dëshmitarët David Bibaj dhe Dafina Aliu.

Të njëjtit deklaruan se në vitin akademik 2013-2014 kishin aplikuar për regjistrim si studentë në UP por që nuk ishin pranuar.

Pasi që nuk ishte pranuar në fakultet dëshmitari Bibaj tha se kishte dëgjuar se ekziston edhe një mundësi e regjistrimit, ajo me anë të listave plotësuese.

“Pastaj më patën thanë që është një person që mundet me të ndihmu, edhe pata kërku ndihmë prej këtij personi, ndërsa tani kam harruar kush është, as emri nuk më kujtohet por e njëjta ka qenë femër”, tha Bibaj.

Ai tha se me të njëjtin person ishte takuar, por nuk i kujtohej se çfarë kishte biseduar.

I njëjti pasi që identifikoi të akuzuarit në sallë, deklaroi se nuk është në dijeni se cili person ka qenë ai me të cilin ishte takuar e kishte biseduar.

Sipas tij, ndihma e këtij personi kishte qenë që t’ia shkruaj emrin në një listë plotësuese, por i njëjti deklaroi se detajet i ka harruar.

Bibaj mohoi se ai person i kishte kërkuar ndonjë shumë të parave.

Ndërsa, dëshmitarja Aliu deklaroi se pasi që nuk ishte pranuar në fakultet nuk ishte interesuar më që të dijë arsyet.

Ajo tha se nuk i kujtohet nëse kishte paraqitur ndonjë vërtetim në UP, ndërsa mohou se kishte kontaktuar me ndonjë person të UP-së.

Në këtë rast Mimoza Beqiri dhe Behare Bajrami akuzoheshin se së bashku me Ermal Durakun, Anton Jakajn, Daut Ademajn, Ilir Muratin, Rajmonda Osmanin dhe Edona Sallahun kishin kryer veprat penale “Mashtrimi” nga neni 335, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së dhe “Lajmërim i rremë” nga neni 390, paragrafi 1 të KPRK-së, mirëpo për këto vepra penale ka arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë më 31 maj 2017, ndaj Mimoza Beqirit, Behare Bajramit, Betim Ismailit, Ardian Hamitit, Ermal Durakut, Anton Jakajt, Daut Ademajt, Ilir Muratit, Rajmonda Osmanit dhe Edona Sallahut, me arsyetimin se nga viti 2013-2014, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm, kanë falsifikuar dokumente të ndryshme.