Gjina Zeqiri

Dëshmitarja rrëfen si mori kredi të paguaj gjinekologen për të pasur fëmijë

Në procesin gjyqësor ndaj gjinekologes Gjina Zeqiri e cila akuzohet për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor, transplantim të kundërligjshëm dhe trafikim të organeve dhe qelizave njerëzore, në cilësi të dëshmitares u dëgjua e dëmtuara Fahrije Hyseni.

Hyseni deklaroi se pasi ishte kontrolluar në disa spitale, pas kësaj kishte vendosur të kontrollohej edhe tek doktoresha Gjina Zeqiri.

“Pasi jam kontrolluar në spitalin Amerikan, spitalin Bahçeci dhe tek klinika Behar Kusari, doktorët nuk me kanë marrë në dorë. Me kanë tregu realisht që nuk do të kem sukses, pas kësaj dëgjova për Gjina Zeqirin, ku e telefonova dhe bëra një vizitë, pas së cilës për 5 muaj vazhdimisht u trajtova nga doktoresha Gjina”, tha dëshmitarja.

Ajo shtoi se doktoresha i kishte premtuar se suksesi do të jetë 80 deri në 100%. Ndërsa në pyetjet e prokurorit se sa para kishte paguar, dëshmitarja Hyseni deklaroi se për trajtimet ka paguar më shumë se 6000 euro.

“Doktoresha me tha që ta vazhdoja trajtimin duke me premtuar 80 deri në 100% sukses. Në fillim me informoi se trajtimi do të kushtonte 3 deri në 4 mijë euro, ndërsa pas trajtimeve kam paguar më shumë se 6000 euro, prej të cilave 5000 i kam marrë kredi dhe 1000 euro i kam marrë hua”, shtoi ajo.

Dëshmitarja po ashtu tregoi se pasi nuk pati sukses, doktoresha e kishte ftuar përsëri në trajtime duke ia ofruar ato me 50 deri në 70% zbritje.

Në këtë proces gjyqësor përpos doktoreshës Gjina Zeqiri të akuzuar janë edhe Ilfete Baxhaku dhe Agron Devaja. Ndërsa ndaj dy shtetasve turq Ersan Donmezi si dhe Handan Namlë është veçuar procedura pasi që janë shtetas të huaj dhe nuk ndodhen në Kosovë.

Sipas aktakuzës të akuzuarit Gjina Zeqiri, Ersan Donmezi si dhe Handan Namlë në klinikën private “Global Hospital”, e cila gjendet në Prishtinë në nëntor të vitit 2014, në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor, pasi që me rastin e trajtimit mjekësor të pacienteve në sektorin e sterilitetit (IVF), haptas nuk kanë përdorur masat përkatëse higjienike-sanitare, si dhe kanë përdorur produkte dhe pajisje farmaceutike-medicinale pa banderolë dhe me afat skaduar.

Në bazë të aktakuzës në periudhën prej vitit 2012 e deri me datën 14 nëntor 2014 në spitalin privat “Global Hospital”, e akuzuara Gjina Zeqiri-gjinekologe, drejtoreshë në këtë klinikë, paraprakisht pa autorizim dhe në kundërshtim për Ligjin për Transplantimin e Indeve dhe Qelizave, pa arsye mjekësore nga persona të ndryshëm-donatorë-të dëmtuar, duke e shfrytëzuar gjendjen e dobët ekonomike të tyre, me qëllim të transplantimit, ka blerë qeliza vezore në këmbim të shumave të ndryshme të parave.

Sipas aktakuzës, Zeqiri kishte blerë qeliza vezore nga e dëmtuara S.Sh. gjashtë herë duke ia paguar në para të gatshme shumën prej 800 euro të dëmtuarës tjetër S. B., si donatore, pesë herë fillimisht në çmim prej 800 euro, e pastaj në çmim prej 500 euro; si dhe në raste tjera të dëmtuarave F.M. dhe H.S.

Me këto veprime, prokuroria pretendon se e akuzuara Gjina Zeqiri ka kryer veprat penale transplantim të kundërligjshëm dhe trafikim të organeve dhe qelizave njerëzore.

Emisioni ‘Jeta në Kosovë’ e kishte intervistuar Gjina Zeqirin në shkurt të vitit të kaluar.

Gjina Zeqiri akuzohet edhe se në bashkëkryerje me shtetasit turq Ersan Donmez dhe Handan Nadlë për të cilët është veçuar procedura, i kanë transplantuar qelizat në të dëmtuarit që ishin pacientë të kësaj klinike duke vepruar kështu në kundërshtim me Ligjin për Shëndetin Riprodhues, duke bërë përcaktimin e gjinisë të dëmtuarve-pacienteve të cilët kanë qenë të interesuar për pranimin e këtyre qelizave.

Prokuroria e akuzon edhe Ilfete Baxhakun se ka kryer veprën penale të transplantimit të kundërligjshëm dhe trafikimit të organeve dhe qelizave njerëzore.

Në aktakuzë thuhet se Baxhaku, me dashje e ka ndihmuar Gjina Zeqirin për kryerjen e veprës penale, ngase ka bërë ndërmjetësimin duke kontaktuar me donatorët e vezorëve dhe duke i udhëzuar dhuruesit dhe pranuesit për tretmanin mjekësor.

I akuzuari tjetër Agron Devaja akuzohet nga Prokuroria se ka kryer veprën penale ‘zbulim i fshehtësisë zyrtare’ pasi që, sipas prokurorisë, në cilësinë e personit zyrtar pa autorizim i ka kumtuar personit tjetër informatën që përbën fshehtësi zyrtare duke njoftuar Gjina Zeqirin se kur do të ketë kontroll në klinikën “Global Hospital”