Dëshmitari tregon momentin e tmerrshëm të rrahjes së romës: Askush s’e ndihmoi!

Gjatë ditës së sotme në Ferizaj, është sulmuar përsëri gruaja e komunitetit rom.

E njëjta, ishte sulmuar para dy ditëve në Lipjan nga një grup i nxënësve.

Ballkani.info ka kontaktuar me një kamarier të një lokali në afërsi ku ka ndodhur ngjarja, i cili ka dhënë detaje se si ka ndodhur rasti.

“Gruaja e komunitetit rom, të cilën tashmë po e njohim edhe nga mediat, ka qenë duke ecur rrugës së vet dhe në gjendje shumë normale. Për një çast, është afruar një grup i nxënësve ku njëri nga ta e ka rrëzuar dhe ka vazhduar ta godasë përderisa ajo ishte e shtrirë. Ngjarja ka qenë tmerruese në sytë e publikut, ndërsa personi i cili e ka sulmuar viktimën është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes”, ka thënë dëshmitari.

Tutje, ai ka treguar se në vendin e ngjarjes nuk ka arritur ende Policia e Kosovës.

“Jo policia nuk ka ardhur ende në vendin e ngjarjes, ndërsa gruaja e sulmuar është larguar nga vendi i ngjarjes. Për mendimin tim, më e dhimbshme ka qenë që njerëzit përreth kanë bërë foto e video, ndërsa askush nga kalimtarët nuk është afruar që t’i ofrojë ndihmë”, ka thënë ai.

Në fund, ai ka thënë se si qytetar i Kosovës, ndihet keq për këtë ngjarje dhe për faktin që si shoqëri nuk jemi në gjendje t’i ofrojmë ndihmë dikujt. /Ballkani.info