Dëshmitari tek ‘Syri i Popullit’: Ata nuk janë kriminelë por viktima

Sabri Novosella, personi i cili dyshohet se ka qenë në listën e organizatës “Syri i Popullit”për tu vrarë, deklaroj para gjykatës se anëtarët e kësaj organizate nuk janë kriminele por viktima.

“Murat Jashari dhe te tjerët nuk janë kriminelë, nuk janë banditë, as njerëz që dojnë me vra shqiptarë, këta si idealista kanë ra në kurthin e konspiracionit anti- shqiptar, dhe duke menduar që janë duke punuar për atdhe nuk e kanë ditë që janë duke punuar kundër tij, ata kanë krijuar një bindje për mem vra tu mëndu qe po vrasin tradhtar, e vërteta është që këta janë viktima “, tha Novosella.

Në cilësinë e dëshmitarit u dëgjua edhe Gafurr Elshani, ai tha se dikur ka punuar bashkë me Murat Jasharin, por se më vonë kishte kuptuar se nuk është në rregull.

“Murat Jashanin e njoh, kur kam ik në Itali, ai me ka ndihmuar, ka mbledh ndihma financiare të cilat mi ka dërgu për me udhëtu në Zvicër, pasi kam mbërri atje me Muratin kemi qenë bashkëaktivistë të çështjes kombëtare, se nuk është në rregull me të e kam vërejtur kur i ka marrë në pyetje disa persona pasi ju ka shkaktuar destabilitet psikik”, tha Elshani.

Ndërsa dëshmitari Avni Limani deklaroi se ka qenë i ftuar nga i akuzuari Ragip Sallova për të marrë pjesë në organizatë për kultivimin dhe ruajtjen e vlerave kombëtare, mirëpo kur kishin mbërritur në Tiranë i ishte prezantuar diçka tjetër.

“Ragip Sallova më kishte ftuar për të marrë pjesë në një organizatë për kultivimin e vlerave kombëtare, kishim shkuar dy herë për vizitë në Tiranë, atje në ishte prezantuar diçka tjetër, një Lëvizje për ribashkim Kombëtar, koncept për të cilin un s’jam pajtu dhe aty mu dok që nuk janë serioz në qëllimet e veta dhe u tërheqa”, tha Limani.

Murat Jashari, Bajrush Konjusha, Avni Llumnica, Ragip Sallova, Sadri Ramabaja, Rexhep Topllana, Bajrush Konjusha, Sabit Berisha, Halim Halimi, Bexhet Luzha dhe Lirije Luzha akuzohen nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës për këto vepra penale :hakmarrje, ndihma, dhunimi, përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës sëKosovës, mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

Sipas prokurorisë, të akuzuarit planifikonin shkatërrimin e strukturave themelore politike, kushtetuese, ekonomike apo shoqërore të Republikës së Kosovës me sulme dhe me vrasje ndaj personaliteteve më të larta shtetërore duke filluar nga ish-funksionarët e lartë të Kosovës prej vitit 1980 deri në 1991, duke i konsideruar si tradhtarë të vendit, e po ashtu funksionarët nga viti 1999 deri në vitin 2016.