Sokol Bashota

Dëshmitari rrëfen si e bleu veturën ‘BMW X5’ nga Sokol Bashota

Në gjykimin e ish-kryetarit të Komunës së Klinës, Sokol Bashotës, dëshmitarët që dëshmuan sot kishin vlerësime të ndryshme për gjendjen financiare të tij.

Përderisa njëri tha se për shkak se e kishte shtëpinë të djegur Bashota kishte shkuar të banonte me qira në Prishtinë, tjetri tha se nga ish-kryetari kishte blerë një veturë në vlerë 35 mijë euro.

Në gjykimin për keqpërdorim detyre të Sokol Bashotës, Enver Berishës, Fadil Gashit dhe Esat Racit, disa nga dëshmitarët ndryshuan deklaratat e dhëna para prokurorëve të EULEX-it.

Fillimisht dëshmitari Nazmi Elshani në deklaratat e dhëna para prokurorit të EULEX, kishte thënë: “Sa e di unë, banesat janë kanë të ndara në baza partiake, dy për PDK, dy për LDK, një për AAK, dhe një për LDD”, ndërsa pas ballafaqimit me ketë deklaratë nga ana e prokurores Sahide Gashi i njëjti deklaroi se nuk është e vërtetë që i ka thënë.

“Kjo nuk është e vërtetë që e kam thanë, kam thanë që banesat i kanë përfitu gjitha partitë politike“, tha dëshmitari Elshani.

Edhe dëshmitari Agron Bacaj, dëshmoi ndryshe nga ajo ç’kishte thënë te prokurori i EULEX-it.

Ai para prokurorit të EULEX-it kishte deklaruar: “Jo nuk jam në dijeni për marrëveshje me shkrim por me gojë po, ka pasë në mes të partive dhe kryetarit”.

Ndërsa sot pas ballafaqimit nga ana e prokurores Gashi tha se e ka pasur fjalën për marrëveshje mes partive për të aplikuar dhe jo fituar.

“Po kështu kam thanë por e kam pasë fjalën për marrëveshje politike për aplikim e jo për përfitim”, tha dëshmitari Bacaj.

Ndërsa për fjalët që kishte thënë tek EULEX-i, se listën e kishte bëre kryetari dhe kryesuesit e partive, dëshmitari Bacaj tha se nuk i kujtohet që ka deklaruar ashtu.

Dëshmitari Ajet Sejdiu deklaroi se si anëtar i komisionit e ka pasur për detyrë poentimin e kandidatëve dhe se në këtë post ishte caktuar nga kryetari Bashota.

Ai deklaroi se kur ka qenë në inspektim te kryetari Sokol Bashota dhe Enver Berisha shtëpitë e tyre kanë qenë të djegura.

“Kemi qenë në shtëpinë e Enver Berishës në fshatin Ceskovë, shtëpia e tij ka qenë e djegur tërësisht, e po ashtu edhe te kryetari Bashota, ku familjarët e tij na kanë thënë se banon në Prishtinë me qira ndërsa shtëpia e tij ka qenë e djegur”, deklaroi Sejdiu.

Në pyetjen e prokurores Sahide Gashi se a i kujtohet një bisede telefonike me të akuzuarin Enver Berisha me të cilën e keni njoftuar që keni me dhënë deklaratë dhe i keni thënë: “Na folëm me na u përputh tanve deklaratat qat mujmë”, dëshmitari tha se e ka pasur fjalën për “me u organizu e me shku bashkërisht me dëshmu”.

Ndërsa dëshmitari Bejtush Zhugolli tha në Gjykatë se deklaratën në EULEX ia kanë ndryshuar.

“Nuk me kujtohet çka kam thanë në EULEX, ma kanë pru me nënshkru dhe kam pa në shumë vene qe ja kanë ndryshu kuptimin fjalëve e që unë nuk i kam thënë“, tha dëshmitari Zhugolli.

Dëshmitari Avni Gashi tha se nga Sokol Bashota ka blerë veturën X5, në vlerë 35.000 euro, me të cilin edhe ka bëre kontratë te noteri.

Ndërsa dëshmitari Bashkim Gashi deklaroi se i kishte huazuar Bashotës para në vlerë prej 17.000 euro, në mënyrë që ai të blinte një banesë në Prishtinë. Sipas tij, paratë ia kishte dhënë përmes bankës.

Në cilësi të dëshmitarit u dëgjua edhe gjyqtari mbikëqyrës i degës në Klinë, Prenk Palushi.

Ai në kohën e ndarjes së banesave ishte drejtor i Administratës së Përgjithshme nga radhët e PDK-së dhe kryesues i Komisionit për përzgjedhjen e kandidatëve.

Në dëshminë e tij Palushi tha se ka pasur për detyrë poentimin e kandidatëve, dhe verifikimin e kushteve të banimit

Palushi deklaroi se te Bashota kanë konstatuar shtëpinë e tij të djegur.

“Tek kryetari Bashota kemi konstatu që e ka pasë shtëpinë e djegur nga lufta, atë e ka pasur në bashkësi me vëllezër dhe më larg nuk kemi shiku ngase kemi pasë të verifikojmë vetëm në territorin e Klinës“, tha Palushi.

Sokol Bashot, Enver Berishas, Fadil Gashi dhe Esat Raci në lidhje me akuzat ndaj tyre janë deklaruar të pafajshëm.