Dëshmia implikon në fajde edhe eprorin policor në Gjakovë

Në “Aferën e fajdeve” përveç emrave të politikës përmenden edhe ata të drejtësisë e të policisë, dhe aty, sipas njërës nga shkresat e dosjes që e ka gazeta, përfshihet edhe emri i zëvendësdrejtorit të Policisë së Kosovës në Gjakovë, Selman Tanusha.

Sipas dëshmisë së Faton Dalladakut para hetuesve në Ferizaj, i dyshuari Kadri Rexhepi ka kërkuar nga zëvendësshefi i Policisë në Gjakovë që të intervenojë tek huamarrësit që ta shtyjë afatin e kësaj “huamarrje”, shkruan sot “Koha Ditore”.

Me gjithë këtë dëshmi, hetuesit policorë në Ferizaj nuk e kanë intervistuar fare kolegun e tyre nga Gjakova për t’i marrë deklaratë rreth përmendjes së emrit në shtyrjen e afatit të pagesës së këstit të fajdeve.

Krejt çfarë kanë bërë këta hetues, sipas shkresave, është një telefonatë në drejtim të Tanushës për ta pyetur nëse ka ose jo lidhje me rastin. Ai përmes telefonit u ka thënë kolegëve në Ferizaj se nuk ka lidhje me rastin. Çdo gjë sa i përket përmendjes së emrit të tij, sipas shkresave, ka përfunduar këtu.