Divorce

Deri në tre vjet zgjasin proceset gjyqësore të divorcit në Kosovë

Mbi 80% e rasteve të divorcit arsyetim e kanë dhunën në familje. Derisa, këto raste në gjykata shkojnë deri në 3 vjet.

Deri në tri vite mund të shkojë procesi i shkurorëzimit të një çifti në gjykatat në Kosovë.

Derisa divorcimi i çifteve mund të bëhet në dy forma, me marrëveshje ose me padi nga njëra palë, kjo e fundit mund të zgjasë më tepër edhe për shkak të rrethanave të rastit.

Juristi Anton Nrecaj thotë se rastet e divorcit zvarriten në gjykatë si shkak i numrit të madh të rasteve që janë civile.

“Po është një detyrim kushtetues, të cilin e kemi edhe ligjor, që gjykatat tona të zbatojnë parimin e një gjykimi të drejtë në një afat të caktuar. Është e paraparë me Konventën Evropiane për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut dhe kjo fatkeqësisht në praktikë, sidomos në çështje civile nuk respektohet aspak”, deklaroi Nrecaj.

Sipas tij, rreth tetëdhjetë përqind e shkakut të divorcimit mes çifteve është dhuna në familje, çka për të kjo paraqet shqetësim.

“Këto raste pavarësisht që janë të ndjeshme, prapëseprapë fatkeqësisht pjesa më e madhe e shkurorëzimeve që ndodhin në Kosovë janë si pasojë e dhunës në familje”, deklaroi tutje Nrecaj.

Në rrjetin e grave të Kosovës thonë se gjykatat nuk duhet t’i zgjasin procedurat për rastet e divorcit siç ndodh shpesh në praktikë.

“Viktimat e dhunës në familje, gratë dhe vajzat janë të kërcënuara vazhdimisht në mënyrë që ato të mos raportojnë dhunën në familje. Përveç kësaj, rrjeti i grave të Kosovës gjithashtu është dëshmitar i asaj që edhe në raste të dhunës në familje lëndët ku shkojnë me divorc rrinë me vitet e tëra në sirtarë të gjyqtarëve”.

Nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës kanë thënë se janë duke bërë verifikimin e saktësisë dhe cilësisë së të dhënave statistikore sa i përket rasteve të divorcit.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në vitin dy mijë e njëzet e dy janë regjistruar dy mijë e tetëdhjetë e tetë shkurorëzime në Kosovë.