Deri në cilën masë ka rrezikuar e vazhdonë ta rrezikon Kosovën struktura aktuale e pushtetarëve tanë!?

Profiterë, rrahagjoksë, aktorë të shumtë të spekulimeve diletante, të nxitur nga lakmia së bashku me shumë dallkaukë politikë e shtetëror të pa karakter e pa parime kombëtare, kanë grumbulluar role dhe funksione të rëndësishme udhëheqëse! Por në fakt nuk përfaqësojnë më interesat e qytetarëve dhe të Kosovës, por vetëm epshet e tyre në mënyrë të shpërfytyruar deri në shëmti !

Si rrjedhojë e këtij mentaliteti gllabërues, tani në skenën publike kosovare, për fat të keq sundon një kaos i ndërthurur marrëdhëniesh individuale dhe grupore, të cilat shoqërinë dhe shtetin e Kosovës e kanë përmbysur mbrapshtë, duke e larguar çdo ditë e çdo vit, më shumë nga zhvillimi ekonomik dhe integrimi në familjen evropiane. Skenë kjo, ku janë ngjizur mes veti ish miqtë e idealeve dhe armiqtë e deridjeshëm politik, dhe ku bërësit e politikës shtetërore, lakmitarë dhe servilë të pangopur, vazhdojnë ta nëpërkëmbin dinjitetin e popullit nga i cili rrjedhin si surrogat e jo si shtetarë të mirëfilltë. Është krijuar një bashkësi e dëmshme deri në rrezikshmëri të lartë për të ardhmen e shëndoshë të vet shtetit dhe qytetarëve të saj të devotshëm!
Karakteret e personazheve të tilla bartin në vete identitete dhe gjeneza të ndryshme, gjersa i shpalosin ambiciet e pashërueshme për mbetur në pushtet, sikur diktatorët e dikurshëm, e që në rastin më të mirë shndërrohen në ekzemplar për studim dhe verifikim të arsyes së shëndoshë!

Mungesa e empatisë së tyre, sidomos e një grupi delirantësh të dehur nga ndjesia për të qenë dikushi dhe i pa zëvendësueshëm në shoqëri, sa është e dhimbshme, po aq edhe shqetësuese. Siç po shihet ata nuk zgjedhin mjete dhe metoda për të njollosur dhe degraduar vlerat e njerëzve dhe figurave kombëtare. Ndërsa në anën tjetër përmes viktimave dhe heronjve të luftës synojnë të përfitojnë nam, famë dhe poste. Nam dhe trimëri të cilën në kohën kur kërkohej prej tyre angazhim konkret nuk e kishin guximin ta dëshmojnë në vepër, njëjtë sot sikur atëherë, nuk do arrijnë asgjë përmes shpifjeve, sepse për motiv kanë gënjeshtrat, mashtrimet, falsifikimet e historisë e deri tek kërcënimet banale!

Duke mos iu dhënë të tillëve hapësirë, sepse edhe ashtu ia kanë ,,tjerrë’’ për lesh shumë vite Kosovës martire, është imperativ i kohës që shtresa e pa komprimituar ta marrë në dorë procesin e ngecur të shtet-bërjes që përfundimisht ta çrrënjos logjikën e luftës speciale kundër njëri tjetrit. Ngase, në këtë arenë qesharake, pa asnjë përgjegjësi përdoren mjete dhe fyerje më të ulëta njerëzore kundër figurave të dëshmuara kombëtare për përfitime personale, dhe me synimin për të arritur me çdo kusht poste dhe pasuri përrallore brenda një shoqërie të varfër. Shpresa e vetme për të dalë nga ky izolim dhe shkatërrim i vlerave tona kombëtare dhe shtetërore, është ndërrimi i atyre të cilët ja kanë zënë frymën Kosovës!

Verifikimi i së kaluarës të secilit politikan dhe person me përgjegjësi publike, është më se i domosdoshëm. Veglat dhe mashat e Serbisë janë të infiltruara në institucionet publike dhe shtetërore, ato gjinden kudo, madje edhe jashtë vendit, që dikur bashkëpunonin me shërbimet e ambasadave Jugosllave, ndërsa tani janë thellë të involvuar në klane politike, shoqata dhe grupe interesi, duke mbjellë me qëllim urrejtje dhe përçarje mes shqiptarëve!

Po ashtu, është e domosdoshme që në procesin e shtet-ndërtimit të Kosovës të kyçen figura të dëshmuara kombëtare dhe politike, të cilat janë dëshmuar për shumë dekada në luftë me armikun tonë shekullor, pa iu trembur syri. Kërkohen vlera kombëtare, në radhë të parë ato gra e burra atdhetarë që interesin kombëtar dhe shtetëror e kanë prioritet mbi të gjitha detyrat tjera. Të cilët dëshirë të vetme e kanë ta shohin Kosovën të zhvilluar krahas me të gjitha shtetet tjera demokratike në Evropë.

Mjerisht, Kosova edhe pas njëzetë vitesh liri dhe njëmbëdhjetë vitesh pavarësi, ka ngelur vendi më i izoluar në Evropë, dhe për këtë gjendje të rënd, dikush duhet të jap përgjegjësi para qytetarëve të saj!

Hafiz Gagica
Stuttgart, 18.05.2019