Deri me tani janë shqiptuar 300 gjoba ndaj atyre që ndotën ambientin

Organizata “Let’s Do It Kosova”, ka mbajtur punëtorinë “Politikat mjedisore dhe sfidat në zbatimin e tyre”. Aty u tha se deri më tani janë shqiptuar 300 gjoba mandatore ndaj atyre që ndotën ambientin. Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka paralajmëruar fushatë të re për mjedisin në bashkëpunim me Let’s Do It Kosova, por nuk ka dhënë detaje rreth kësaj fushate.

Luan Hasanaj, drejtor i “Let’s Do It Kosova”, ka thënë se pas aksionit tremujor në pastrimin e territorit të Kosovës, e mira është se janë angazhuar të gjithë.

“Kemi të drejtë të shpresojmë për një të ardhme më të mirë sepse mjedisi me të vërtetë është i lënë anash nga të gjithë, jo vetëm institucionet. Vlera më e madhe e gjithë kësaj është përfshirja e të gjithë akterëve. Është një debat që i ka munguar shoqërisë. Problemi i mjedisit ka me u zgjidhë vetëm atëherë kur shoqëria vetë aktivizohet”, tha Hasanaj.

Valton Karaxhiu, nga “Let’s Do It Kosova, ka thënë se brengë po mbetet ajo se çka do të ndodhë tash e tutje.

“Pasi ne e kemi bë këtë punë kaq të mirë brenga kryesore është çka bëjmë më tutje. Neve na mungon ky bashkëpunim dhe duhet me pa ku e kemi këtë mangësi. Sado vullnet që kemi as OJQ-të e as inspektorët nuk mund të jenë në çdo vend me zbatu ligj dhe me e mbajt këtë vend të pastër”, ka thënë Karaxhiu.

Leotrim Sahiti, këshilltar i ministrit të MMPH-së, ka thënë se që nga përfundimi i fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën”, Kosova është më e pastër. Ai ka përmendur si ndihmesë edhe udhëzimin për gjobat mandatore.

“Barra kryesore e zbatimit të këtij udhëzimi bie mbi inspektoratin. Që nga plotësim-ndryshimi kemi 300 gjoba mandatore që janë shqiptuar nga inspektorati jonë. Ne dëshirojmë të kemi një vetëdijesim gjatë vitit 2019-të, do kemi aktivizim më të madh të inspektorëve dhe një fushatë më aktive për qytetarët në bashkëpunim me “Let’s Do It Kosova”, por edhe me gazetarët që shumë shpejtë do bëhet publike”, ka thënë ai.