Balton Dërguti nga iniciativa qytetare “Ne mundemi”, ka thënë se kanë pasur probleme me zyrtarët e Listës “Guxo”, për sa i përket emrit të iniciativës.

Dërguti në emisionin “Frontal”, në T7 ka thënë se deputetët e Listës Guxo e kanë penguar këtë iniciativë që të regjistrohet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

“Lista Guxo nuk e kishte ndërmend që të regjistrohej si parti politike ose si iniciativë qytetare. Qëllimi ishte shkrirja në VV dhe ne në Ferizaj ishim të parët që ngritëm zërin dhe që paralajmëruar se do ta regjistrojmë një subjekt si iniciativë qytetare vetëm për komunë n  e Ferizajt. Gjatë kësaj periudhe na kanë dalë shumë probleme në këtë fushë sepse ishte një interesim që neve të na pengonte që mos ta regjistrojnë iniciativën duke filluar nga disa deputetë e më pas edhe nga KQZ-ja”, deklaroi Dërguti.

Ai tha se kanë dashur që ta regjistrojnë iniciativën me emrin “Guxo”, por se një iniciativë me këtë emër është regjistruar para tyre në KQZ, nga deputetët e Listës Guxo.

“Pengesa e parë ishte tek emri. Ne kishim disa dakordime që nëse regjistrohet subjekti të regjistrohet me emrin “Guxo”. Kur ne e morëm iniciativë qytetare me këtë emër atëherë një pjesë e disa deputetëve të gjinisë mashkullore të Listës Guxo janë ngutur shpejtë shpejtë dhe kanë aplikuar në KQZ vetëm për komunën e Ferizajt, sepse e dinin se ne do të aplikonim. Ka qenë deputetët Burim Karametea dhe Ekrem Mustafa të ndihmuar nga Haxhi Avdyli”, ka thënë ai.

“Tash e kemi modifikimin e tretë me termin ‘Ne mundemi’, sepse ne duam të ku tregojmë se ne mundemi. Kemi anëtarë edhe të LVV-së, LDK-së dhe AAK-së”, ka thënë ai.