Revista javore

Der Spiegel: Merkeli e ka vizituar në spital kritikun e Putinit, Navalny

Revista javore gjermane, “Der Spiegel”, ka raportuar se kancelarja Angela Merkel e ka vizituar në spital politikanin e opozitës ruse, Aleksei Navalny.

Navalny qëndroi më shumë se një muaj në një spital të Berlinit për t’u trajtuar pas helmimit me agjentin nervor të periudhës sovjetike, Noviçok. Vizita e kancelares vë në pah se sa seriozisht e ka marrë ajo këtë rast.

Revista e njohur, pa cituar ndonjë burim, tha se Merkeli shkoi për ta vizituar Navalnyn në spitalin Charite, ku ai qëndroi 32 ditë pasi ishte dërguar aty nga Rusia muajin e kaluar, kur u sëmur papritmas.

Një zëdhënës i Merkelit refuzoi të jepte ndonjë koment për raportimin e revistës, shkruan Reuters.

Sipas qeverisë gjermane, testet në Gjermani, Francë dhe Suedi kanë dëshmuar se Navalny është helmuar me Noviçok, duke kërkuar sqarime nga Rusia.

Sidoqoftë, Moska ka mohuar se është e përfshirë në këtë incident dhe ka thënë se ende i duhet kohë për t’i parë dëshmitë e krimit të mundshëm.