Deputetja Musliu-Shoshi: Mbajtja e referendumit të Serbisë në Kosovë, shkelje e sovranitetit!

“Qeveria nuk duhet të lejoj mbajtjen e referendumit të Serbisë në Kosovë pavarësisht kërkesës së BE-së dhe vendeve të Quint-it”, ishte kërkesa e partive opozitare.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu- Shoshi ka deklaruar se nuk duhet të lejohet referendumi në Kosovë.

“… mendoj që opsionet që i ka dhënë qeveria duhet të jenë e vetmja mënyrë sesi serbët mund të votojnë. Ata qytetarë mund ti shfrytëzojnë këto opsione, mirëpo jo të organizohet një referendum brenda për brenda republikës, sepse kjo e shkelë sovranitetin tonë”, është shprehur ajo.

Kujtojmë se të dielën më 16 janar, në Serbi mbahet një referendum në të cilin qytetarët e saj do të deklarohen në pyetjen “a jeni për konfirmimin e aktit për ndryshimin e Kushtetutës së Republikës së Serbisë?”.

Këto ndryshimet kanë të bëjnë me gjyqësorin dhe janë pjesë e përpjekjeve të shtetit të Serbisë për t’u afruar me strukturat e Bashkimit Evropian.

Vlen të theksohet se kryeministri, Albin Kurti ka paralajmëruar se nesër (e shtune) do të mbahet një seancë e jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës.