Deputetja Haxhiu: Veseli deshi shtyrjen e debatit për shndërrimin e FSK-së në ushtri, opozita e kundërshtoi

Kryetari Kuvendi Kadri Veseli ka kërkuar në mbledhje të kryesisë që pakoja e ligjeve që kanë të bëjë me avancimin e FSK-së në ushtri të shtyhet për një kohë.

Kjo ka ngjallur reagimin e partive opozitare.

Deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu ka thënë se me punën e ushtrisë po tentohet sërish të bëhet lojë.

“Në fund të mbledhjes pati një propozim nga kryetari Kadri Veseli që këto tri pika të shtyhen për një seancë tjetër e jo për të enjten, por ne si opozitë insistuam që të mbeten, dhe ashtu do të jetë”, ka thënë deputetja Haxhiu.

Nervozizmin e mbledhur gjatë takimit kryetari Veseli e ka shprehur ndaj gazetarëve kur është pyetur se pse ka kërkuar që kjo pikë të shtyhet për një seancë tjetër.

“Ushtria e Kosovës do apo nuk do dikush, do të kryhet brenda këtij viti. Gjithë çka që po bëjmë është të shkohet me mençuri e maturi. E mençur është të respektohen procedurat, të mos dëmtohet liberalizimi. Nëse është qëllimi i opozitës të dëmtohet liberalizimi e anëtarësimi në Interpol atëherë “yrysh”. Unë jam po aq sa të gjithë këta deputet entuziast për ditën që do ta kalojmë avancimin e FSK-së, por duhet të investojmë e jo vetëm në mënyrë simbolike ta bëjmë atë” ka thënë Veseli.