Fatmire Mullhaxha Kollçaku

Deputetja e VV’së thotë se s’ka grup Kurti, por Qeveri me mijëra mbështetës

Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Mullhaxha Kollçaku ka reaguar pas deklaratave të Presidentit Hashim Thaçi, i cili dje tha se grupi i Kurtit duhet të japë përgjegjësi për shtytjen e studentit në vetëvrasje. Ajo ka thënë se Thaçi po e luan rolin e hetuesit, prokurorit dhe gjyqtarit, por jo edhe të Presidentit unifikues.

Përmes një postimi në llogarinë e saj në Facebook, Mullhaxha ka thënë se nuk ka një grup të tillë, por se ka Qeveri Kurti në detyrë me qindra mijëra mbështetës.

Sipas saj, së shpejti do të vijë edhe Qeveria Kurti 2.

“President, nuk ka grup. Ka një #QeveriKurti në detyrë me qindra mijëra mbështetës. E së shpejti vjen edhe #QeveriaKurti2”, ka shkruar ajo.

Ndryshe, dje Presidenti Thaçi ka thënë se grupi qeveritar në krye me kryeministrin Albin Kurti duhet të japë përgjegjësi “për shtytje në vetëvrasje” të studentit Agon Musliu, që po qëndronte në karantinë në Qendrën e Studentëve në Prishtinë.

Thaçi ka thënë se Kurti duhet të japë përgjegjësi edhe për rrezikimin e jetës së deputetit Behgjet Pacolli, raporton Gazeta Express.

“Unë mendoj se Grupi i Kurtit, Sveçlës dhe Vitisë duhet të sqarojë çështjen e rrezikut të jetës që i kanosej zoti Pacolli gjatë fluturimit të tij në Prishtinë dhe pse ka devijuar zoti Pacolli në drejtim të Tiranës, sikurse ka përgjegjësi morale dhe ligjore të japin grupi i Kurtit, Vitia dhe gjithashtu Svecla për shtytjen në vetëvrasje të studentit nga konviktet në Prishtinë si dhe seleksionimin politik të njerëzve se kush karantinohet e kush jo”, tha Thaçi.

“Ata duhet të përgjigjen sa më shpejt aq më mirë, në anën tjetër ju e dini se vendimet e Qeverisë janë shpallur antikushtetuese”, ka thënë Presidenti.