Albulena Haxhiu

Deputetja e VV-së: Veseli po angazhohet për t’ia bërë votat PSD-së, mos qofshim në lëkurën e tyre

Seanca e jashtëzakonshme e thirrur për të votuar rezolutën e PSD-së rreth dialogut me Serbinë, nuk po vazhdon edhe pse kanë kaluar më shumë se një orë e gjysmë nga paralajmërimi i fundit se do të fillonte në orën 16:30.

Fillimisht u tha se shkak për këtë shtyrje është një rast vdekjeje i një familjari të një deputeteje të PDK-së, megjithatë siç duket arsyeja e vërtet e këtyre shtyrjeve të një pas njëshme qëndron tek mungesa e kuorumit.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, thotë se për të bërë votat e mjaftueshme për miratimin e kësaj rezolute po angazhohet edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Ajo në profilin e saj ka publikuar një fotografi ku shihet Veseli teksa bisedon në telefon brenda sallës së Kuvendit, ndërsa seanca vazhdon të mos hapet.

“Edhe Kadri Veseli në aksion për t’i bërë votat për rezolutën. Kjo flet më shumë se gjithçka tjetër! Mos qofshim në lëkurën e atyre që ikën nga VV për t’ja bërë argatin Thaçit!”, ka shkruar Haxhiu në profilin e saj në facebook.

Ndërkohë partitë opozitare po e bojkotojnë këtë seancë të thirrur nga pushteti./GazetaExpress/