Deputetja e VV-së e quan Thaçin diktator, kërkon hetim për rrahjen e aktivistit të VV-së

Deputetja e Vetëvendosjes, Fatmire Kollçaku-Muhalxha ka folur pas incidentit të djeshëm, ku truprojat e presidentit Thaçi kanë arrestuar një protestues, aktivist i VV-së që e ka quajtur Thaçin “hajn”

Kollçaku ka thënë se aktivisti i VV-së u rrah brutalisht nga truprojat e Thaçit, për çka ka kërkuar hetim nga organet e drejtësisë.

Deputetja e VV-së, po ashtu i ka quajtur skandaloze deklaratat e mbrëmshme të presidentit Thaçi që pasuan pas incidentit jashtë objektit të Qeverisë.

“Nëse ky i ri ka mendu që ky është hajn i vullnetit qytetar a do të duhej truprojat të vrapojnë pas tij me një rrahje brutale i cili nga organet e drejtësisë është procedu në QKUK, ka qenë iu plagosur dhe iu është ndalu të deklarojë se është i plagosur. Privimi nga fjala e lirë nga një njeri që tashmë ka marrë rolin e diktatorit që thotë se do ta godasë çdokënd që nuk mendon si unë. U pengua edhe puna e gazetarit që tentoi ta filmojë këtë ngjarje. Ftojmë organet e hetuesisë ta zbardhin sa më shpejt rastin. Ta goditësh një djalë i ri në regjionin e veshit, gjë që mund të lë me pasoja të rënda. Tendenca për rrahje u pengua nga qytetarët dhe gazetarët. Vullneti qytetar është grabitë dhe kjo është fakt”, u shpreh ajo para gazetarëve.

Kollçaku po ashtu komentoi edhe raportimet për protesta për ditën e nesërme, për të cilat tha se nuk janë thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Ne nuk kemi thirrë ende protestë, por kjo nuk do të thotë se nuk do ta bëjmë. Sheshi është i qytetarëve dhe ky president nuk mund t’i ndaloj”, u shpreh ajo.