Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, ka reaguar pas raportimeve se qeveria nuk do të aplikojë në organizata ndërkombëtare deri në vitin 2023, shkruan Ballkani.info.
Pacolli planin e qeverisë e quan “plan Koti”, gjersa e krahason si me punën e sandwich-it.
“HOTI, SANDWICH-i DHE VUÇIÇI. Jo 1 vit por për 3 vjet, sipas planit të Hotit të dakorduar me Vuçiç, Kosova nuk do të aplikoj për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.
Plani Koti: janar – dhjetor 2021 (365 ditë) do ta hartojë listën e institucioneve dhe organizatave ndërkombëtare me rëndësi të veçantë për Kosovën.
janar- dhjetor 2022 (365 ditë) do ta bëjë përgatitjen e aplikacioneve.
janar – dhjetor 2023 (365 ditë) ka paraparë të filloj me aplikim në institucionet dhe organizatat që kanë rol të madh në fuqizimin ndërkombëtar të Kosovës.
Fillimisht vendosi moratorium disa javor për anëtarësim në organizata ndërkombëtare pastaj e zgjati në 1 vit dhe tani del që afati i vërtetë i moratoriumit qenka 3 vjet”, ka shkruar Pacolli në Facebook.
Sipas saj, Hoti para qytetarëve paraqitet modest dhe se ha vetëm sandwich-a të përgatitur në shtëpi që të kursej ‘shtetin’ ndërsa fatura e tij për dreka e darka del të jetë mijëra euro.
Ajo shton se ai është modest me Kosovën e zemërgjerë me Serbinë.
“Ky plani po del të jetë sikur puna e sandwich-it. Para qytetarëve paraqitet modest dhe se ha vetëm sandëich-a të përgatitur në shtëpi që kursej ‘shtetin’ ndërsa fatura e tij për dreka e darka del të jetë mijëra euro. Modest për Kosovën e zemërgjerë për Serbinë”, ka vazhduar Pacolli./Ballkani.info./







