Deputetja e Vetëvendosjes: LDK nuk është e unifikuar, se shkarkojmë Glauk Konjufcën

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu në emisionin Frontal në T7 ka folur për takimin e sotëm të Albin Kurtit me emisarin e SHBA-së, Richard Grenell dhe për bisedimet me Lidhjen Demokratike të Kosovës, si përpjekje për koalicionin.

“U diskutua për faktin se SHBA nuk do që të interferojë në proceset e brendshme të shtet ndërtimit, kjo ka qenë ajo që është diskutuar edhe brenda. Vetëvendosje vazhdimisht, edhe kur e ka kërkuar votën e qytetarit e ka kërkuar duke premtuar vende të reja të punës”, ka deklaruar Kryeziu.

Deputetja e LV-së thotë se arsyeja se pse nuk ka marrëveshje me Lidhjen Demokratike të Kosovës, janë këta të fundit, pasi që faji nuk është te Lëvizja Vetëvendosje.

“Nuk është faji te LV nuk jemi ne që nuk po mundemi të krijojmë qeverinë, kemi dy parti politike që të marrin qeverisjen e vendit për katër vitet e ardhshme, janë dy parti që nëse duhet të fajësohen duhet që t’i ndajnë përgjegjësitë bashkë.

Nuk po besoj që edhe ata vet nuk po e dinë se çka nuk po ju konvenon, sepse vazhdimisht po i ndërrojnë kërkesat”, shton tutje.

Ajo thotë se janë LDK-ja që tani ka dalë me kërkesë për pozitën e kryeparlamentarit, duke shtuar se qëndrimet e tyre kanë ndryshuar pas seancës së 26 dhjetorit.

“LDK vazhdimisht ka kërkuar postin e presidentit, dhe një përqindje e vogël iu është kushtuar postit të kryeparlamentarit, pas seancë së 26 dhjetorit qëndrimet kanë ndryshuar.

Ata e kanë refuzuar ofertën ku është përfshirë kryeparlamentari, ne kemi shkuar në seancë pa një marrëveshje, ka qenë e kuptueshme që nuk kemi mundur që të veprojmë ndryshe”, thotë ajo.

Deputeja e LV-së shton se shkarkimi i Glauk Konjufcës nga pozita e kryeparlamentarit nuk është opsion që do ta plotësojnë.

“Ne asnjë moment nuk kemi dashur që të bëhemi bllokues institucional, duhet të kihet parasysh që Glauk Konjufca ka kaluar me 75 vota në mënyrë krejt demokratike, e kanë votuar edhe deputetët e LDK-së, pa asnjë presion. Pse të shkarkohet Glauk Konjufca kur vota e tyre ka qenë krejtësisht transparente.

Unë mendoj që të dyja palët, do të kisha dashur që edhe LDK të ketë të njëjtin vullnet si LV, ne meqë jemi parti fituese po mundohen që krejt faji të na hidhet ne”, shton, teksa, thotë se Albin Kurti në vazhdimësi ka bërë përpjekje që të takohet me Isa Mustafën.

“Situata ka mbetur në dy ofertat që janë bërë publike nga dy partitë, qysh prej atëherë nuk ka pasur lëvizje. Mendoj që duhet të ulemi prap në tavolinë.

Albin Kurti ka bërë gjatë gjithë kohës përpjekje që të takohet me Isa Mustafën, edhe eksponentët tjerë, por, ky konflikti tjetër që po del po shihet se është problem që të dalin me një qëndrim, a janë të unifikuar te LDK-ja.

Këto qëndrime po i sjellin shumë LDK-së, ne i kemi qëndrimet tona dhe qëndrojmë prapa tyre, atëherë kur kemi pa disponim për të lëvizur përpara edhe kemi lëshuar pe, kështu që mendoj se ky është një problem i brendshëm i tyre që do të duhet ta zgjidhnin e pastaj të diskutonin për një marrëveshje”, thotë Kryeziu.

Më tutje, ajo shton se rritja e numrit të ministrive nuk është e leverdishme për ta, ndërsa, thekson se nëse në krye të negociatave do të ishte Vjosa Osmani, me siguri marrëveshja do të arrihej më shpejtë.

“Rritja e ministrive nuk është e leverdishme për neve, sepse sulmet vijnë për ne, mirëpo ne kemi qenë të gatshëm që t’i marrim përsipër këto sulme në mënyrë që të arrihet marrëveshje.

Një person që ka simpati të madhe të anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje është Vjosa Osmani padyshim. Ndoshta do të arrihej marrëveshja më shpejt, po kemi pa që është dikush tjetër në krye të negociatave po mendoj që vetë përcjella e hierarkisë liderët të takohen mes vete dhe ata të arrijnë marrëveshjen”, ka deklaruar deputetja e LV-së.