Deputetja e PDK’së thotë se është kërcënuar nga një prej anëtarëve të KSHC-së

Deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, tha se ka pranuar kërcënim nga njëri prej anëtarëve të zgjedhur të Këshillit Shtetëror të Cilësisë.

Deputetja Hoxha në seancën e Kuvendit tha se dëshiron ta njoftojë edhe ministren e Arsimit për kërcënimin pa e specifikuar se kush nga anëtarët e ka kërcënuar.

“Kam një sqarim dhe një shqetësim,  derisa po flisnim për KSHC-në(Këshillin Shtetëror të Cilësisë)  unë mar kërcënime nga anëtarët e porsazgjedhur, vetëm deshta që Ministrja e Arsimit ta dijë këtë gjë”, tha deputetja e PDK-së.

Kuvendi i Kosovës sot ka miratuar pro emërimit të shtatë anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë në Arsim.

Me 63 vota për, 9 kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovas ka votuar për ratifikimin e këtij vendimi.

Para miratimit të këtyre anëtarëve, ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Arbërie Nagavci ka thënë që në rast se të njëjtit nuk votohen, studentët rrezikojnë që të regjistrohen në vitin e ri shkollorë, për shkak të mosakreditimit të disa programeve.

“Është e rëndësishme që sot të emërohen anëtarët e rijnë të KShC-së, sepse në rast se nuk emërohen atëherë studentët nuk mund të regjistrohen këtë vit”, ka thënë Nagavci.

Në ndërkohë kryetari i Komisionit për Arsim nga VV-ja, Ardian Gola ka thënë se Komisioni propozon që këta anëtarë të votohen në Kuvend.

“Komisioni në bazë të nenit është takuar dy herë për këtë çështje dhe ka shqyrtuar vendimin e qeverisë për ratifikimin e anëtarëve të KSHC-së dhe ka vendosur që Kuvendit me ja propozu këtë rekomandim, për votim të anëtarëve me mandat pesë vjeçar”, ka thënë Gola.

Në ndërkohë, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vlora Dumoshi, deklaroi se janë kundër emërimit të këtij Këshilli pasi që sipas saj anëtarët janë zgjedhje politike.

“Nuk është korrekte të aprovohen Këshilli i ri kur Ligji i Akreditimit është në ligj të avancuar dhe shpejtë pritet që të miratohet. Nuk është mirë që me qasje të vjetra të bëhen zgjedhje të anëtarëve të rinj. Emërimi i anëtarëve të rinj me procedura të vjetra nuk është mirë. Ne si grup jemi kundër këtij këshilli që është puroi politik dhe më shumë familjarë duke i vendosur nipat e vet”, ka thënë Dumoshi.