Deputetja e PDK’së për projektligjin për konfiskimin e pasurisë: Qeveria mund të fillojë rishikimin e pasurisë time

Qeverisë e Kosovës ka miratuar ditë më parë koncept dokumentin për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme i cili i hap rrugën hartimit të projektligjit për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.

Miratimin e këtij koncept dokumenti e ka mirëpritur deputetja e PDK’së, Ganimete Musliu, e cila ka deklaruar se Qeveria mund të fillojë prej rishikimit të pasurisë së saj.

E ftuar në emisionin Frontal në T7, ajo ka thënë se nuk i pengon rishikimi i pasurisë së saj.

“Le të fillojnë nga unë, le të rishikojnë pasurinë time. Unë nuk kam asnjë pengesë prej kësaj, por mënyra se si i qasen kësaj, në mënyrë kërcënuese e propaganduese, kjo tregon se ata janë të pazotë. Një Ligj i tillë është i domosdoshëm. Kjo iniciativë është marrë në kohën kur ministër ka qenë Abelard Tahiri. Fati e deshi që të shkojmë në zgjedhje të parakohshme dhe ka ngecur”, ka thënë ajo.

Musliu ka deklaruar se Qeveria Kurti po bënë shumë zhurmë për projektligjin për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme për të mbuluar skandalet e saj.

“Pse qeveria propagandon ?, se donë të mbulojë pazotësinë e saj në fushat tjera. Të vetmen arsye që e shoh te zhurma për këtë projektligj është mbulimi i  skandaleve që po bëhen nga Qeveria Kurti”, ka shtuar ajo.