Deputetja e PDK-së: Diaspora të braktisi Albin!

Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ka deklaruar se diaspora është dëshpëruar nga qeveria Kurti II.

Sipas saj, diaspora më nuk është në përkrahje të Kurtit si dikur.

“Diasporës, kjo klasë qeverisëse, ia ka vështirësuar lidhjet me Kosovën; i ka pamundësuar edhe shërbimet bazike, si paisja me pasaporta për shkak të paaftësisë së tyre për të siguruar material për dokumente të identifikimit, ndërkaq ligjin e shumëpërfolur për diasporë akoma nuk e kanë sjellë në Kuvend”, ka shkruar ajo.

Postimi i plotë:

Diaspora të braktisi Albin!

“Diaspora Flet” ishte titulli i konferencës që Germin e organizoi për 3 ditë.U përfol se do të jetë konferenca më e madhe e diasporës shqiptare. Ndërsa pas kësaj konference, heshtje.

A thua pse? Sepse diaspora vërtetë foli! Ajo diasporë që me shumicë i votoi për t’i sjellë në krye të institucioneve, ka parë paaftësinë e kësaj klase qeverisëse e janë dëshpëruar totalisht nga këta. Prandaj edhe u organizua tani e jo gjatë verës kur diaspora është në Kosovë.

Diasporës, kjo klasë qeverisëse, ia ka vështirësuar lidhjet me Kosovën; i ka pamundësuar edhe shërbimet bazike, si paisja me pasaporta për shkak të paaftësisë së tyre për të siguruar material për dokumente të identifikimit, ndërkaq ligjin e shumëpërfolur për diasporë akoma nuk e kanë sjellë në Kuvend.

Ndërkohë, e kanë gojën plotë për kthimin e mërgatës. Me këtë ritëm të qeverisjes, jo kthim të mërgatës, por druaj do të ketë dyfishim të saj nga viti tjetër. Në dy vite, kjo klasë qeverisëse e ka mbytur edhe atë pak shpresë që qytetarët e këtij vendi kanë pasur, e tash një nga një, të gjithë po i braktisin.