Deputetja e LDK-së

Deputetja e LDK-së: Qeveria Kurti fjalë ka plot, por punën e ka zero

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Valentina Bunjaku-Rexhepi duke komentuar zhvillimet e fundit lidhur me dialogun me Serbinë, ka thënë se nuk ka shpresë që Qeveria Kurti do të bëjë një zgjidhje.

Madje, sipas Bunjaku-Rexhepit kjo qeveri ka fjalë plotë, por punën e ka zero.

„Nuk besojë në këtë qeveri dhe në hapat konkret që do t’i marrë kjo qeveri karshi dialogut me Serbinë sepse më tepër i ka retorikë, përralla për të mashtruar qytetarët dhe për të mbajtur elektoratin dhe votuesin në tension, sikurse Qeveria Kurti do ta zgjidh tensionin me Serbinë. Realisht fjalët i ka plot por punën e ka zero. Nuk kam shpresë që kjo qeveri do të bëjë zgjidhje mes Kosovës e Serbisë”, është shprehur ajo në Tëvë 1.

Ndërkohë, ajo ka vlerësuar se kryeministri i vendit, Albin Kurti po bën skenarë si targat, letërnjoftimet, dinari e veriut, për të mbuluar dështimin e tij në të gjithë sektorët.

“Me politikën e mbrapsht të tyre e kanë kthyer Kosovën prapa dhe tash po diskutohet për targa, letërnjoftime e tash për dinarin e veriun. Gjithë procesi po kthehet në pikën zero. Qeveria Kurti po i shkon në favor Serbisë. Për të mbuluar dështimin e tij në gjithë sektorët po merret me veriun, për të ngritur emocionin qytetar dhe për të mbajtur ata me emocion, me patriotizëm. Votuesit e LVV-së po e besojnë fatkeqësisht këtë skenar të Kurtit”, ka shtuar ajo.

Më tej, Bunjaku-Rexhepi po konsideron se kryeministri Kurti i ka prishur raportet me ndërkombëtarët edhe para çështjes së dinarit.

“Mendoj që para dinarit Kurti ka prishur gjitha raportet me aleatët tanë ndërkombëtar, qoftë ShBA-në, qoftë BE-në sepse tani ne jemi në sanksione dhe asnjëherë nuk ka ndodhë në Republikën tonë të pasluftës që të ndalen fondet”, ka thënë ajo.