Doruntinë Maloku

Deputetja e LDK-së: Ne kemi faj për gjithçka, kemi faj pse ekzistojmë!

Deputetja e LDK-së, Doruntinë Maloku thotë se Lidhja Demokratike e Kosovës që pas vdekjes së Presidentit Rugova, përballet me një luftë të pashembullt speciale për ta sunduar dhe për ta shkatërruar.

“E përmenda vetëm periudhën post rugoviane të LDK-së, pa e harruar në asnjë mënyrë, edhe periudhën e para dhe pas luftës kur grupe politike e jo politike në vazhdimësi, që nga themelimi i saj, e kanë luftuar me të gjitha mjetet e disponueshme LDK-në”, ka shkruar ajo.

Sipas saj, ka kaluar më shumë se një dekadë prej se kjo luftë speciale ka vetëm një qëllim: ta mbjellë idenë tek qytetarët, se LDK-ja ka faj për gjithçka që ndodhë në Kosovë.

“Ne kemi faj, edhe kur jemi në pushtet edhe kur jemi në opozitë. Ne kemi faj edhe kur ndihmojmë, por edhe kur heshtim. Edhe nëse dëshmojmë që nuk kemi faj, prape shpallemi fajtorë! Praktikisht, ne kemi faj për gjithçka. Kemi faj pse ekzistojmë. Pra, ky është faji i LDK-së. Ekzistenca e saj, cenimi i dinjitetit të LDK-së është qëllim përbashkues i të gjitha partive në Kosovë. Është dëshmuar që saherë që LDK është në pozicion të favorshëm, të gjithë bëhen bashkë për ta luftuar. Sa herë që LDK është unike, luftohet për ta përçarë. Saherë që LDK është më dobët, luftohet për ta shkatërruar!”, ka shkruar ajo. /Ballkani.info/