Deputetja nga radhët e LDK-së, Besa Gaxherri ka komentuar deklaratat e kryeministrit Haradinaj, i cili pas mbledhjes së Qeverisë ditën e sotme ka thënë se ‘LDK-ja po mundohen të bëhen të mençur përmes postimeve në rrjetet sociale, por nuk po ulen në tavolinë për diskutim’, transmeton Ballkani.info.

Gaxherri në një prononcim për Ballkani.info, ka thënë se nuk dëshiron të diskutojë qëndrimet e partisë së saj, pasi që këto tanimë dihen.

“Lidhja Demokratike e Kosovës i ka shfaqur qëndrimet e saja dhe nuk ka lëvizur asnjë milimetër nga ato. Për sa i përket deklaratave të Haradinajt se a kupton apo jo LDK-ja, ne e dimë që LDK-ja kupton shumë mirë kurse z.Haradinaj shumë pak. Tashmë dihen qëndrimet tona, nuk besoj se duhet t’i komentojmë qëndrimet e Haradinajt për çdo ditë”, ka thënë Gaxherri.

Kujtojmë se Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, para disa ditëve përmes një postimi në Facebook ka theksuar se LDK-ja e mbështet taksën 100% ndaj Serbisë, por kjo taksë ka nisur të përdoret nga Qeveria aktuale për t’i mbuluar problemet e tjera me të cilat po ballafaqohet. /Ballkani.info