Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Duda Balje, i është bashkuar kampanjës “Sot lëvizim bashkë”.

Nga fotografitë dhe videot e publikuara nga Organizata “Handikos”, Balje shihet teksa lëvizë me karrocë në një nga lokalet ku edhe po mbahet ky aktivitet.

Pjesë e kësaj kampanje është edhe ambasadorja e Francës, Marie Christine Butel.

Aktiviteti po zhvillohet me rastin e shënimit të 1 Marsit apo Ditës Ndërkombëtare të Përdoruesve të Karrocës.

Ndërkaq, mbi 200 mijë persona me aftësi të kufizuara jetojnë në Kosovë. Kjo kategori po konsiderohet më e diskriminuara, meqë të njëjtit kanë mungesë të qasjes në institucione publike dhe rrezik gjatë qarkullimit.

Kështu u tha në tryezën në Ditën Ndërkombëtare “Zero Diskriminim”, të organizuar nga Institucioni i Avokatit të Popullit.

Merita Tejeci Çela nga Institucioni i Avokatit të Popullit tha se shqetësuese mbetet mungesa e qasjes së duhur dhe të pa penguar të personave me aftësi të kufizuara.

“144 mijë deri në 270 mijë persona mendohet që janë personat me aftësi të kufizuara. Edhe më tutje këta persona kanë pengesa në qasje publike”, tha ajo.