Adelina Thaçi ka siguruar votat e nevojshme për t’u bërë deputete e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK). Përmes një reagimi publik, ajo ka falënderuar të gjithë qytetarët dhe votuesit e LDK-së që, siç tha, i dhanë besimin për t’i përfaqësuar në legjislaturën e re.

Thaçi, e cila në politikë vjen nga një profil profesional jashtë skenës politike – si profesoreshë dhe këngëtare – tha se mbështetja e marrë është një mirënjohje e çmuar, por edhe një përgjegjësi e madhe. Ajo u zotua se në Kuvend do të jetë një zë i qartë dhe i pakompromis për vlerat tradicionale, si dhe për interesat e qytetarëve dhe të vendit.

Në mesazhin e saj, ajo theksoi se rezultati aktual i LDK-së nuk përfaqëson potencialin historik, programor dhe njerëzor të partisë. Sipas saj, qytetarët presin më shumë hapje, komunikim të qartë dhe frymë bashkuese nga LDK-ja, duke kujtuar rrugën e ndërtuar nga Presidenti Ibrahim Rugova dhe gjeneratat që, siç tha, pavarësuan dhe zhvilluan vendin.

Thaçi bëri thirrje për një ndryshim të madh në Kosovë, duke theksuar se ky ndryshim nis nga vetë qytetarët. Ajo u shpreh se zgjedhjet kanë dhënë një mesazh të qartë për domosdoshmërinë e reflektimit dhe hapjes së partisë ndaj të rinjve, grave dhe të gjithë atyre që duan t’i bashkohen vizionit shtetndërtues.

“Të dashur qytetarë, dhe Ju votues të Lidhjes Demokratike, Leximi im është se ky rezultat i LDK-ës s’përfaqëson as afërsisht misionin e saj historik, përgjegjësinë dhe potencialin njerëzorë e programor që ka Lidhja Demokratike e Kosovës. Aq më pak përfaqëson, respektin që kanë sot, qytetarët e vendit dhe mërgata, për Lidhjen Demokratike të Kosovës. Kosova ka nevojë për ndryshim të madh. Por pa ndryshuar ne (Kosovarët), s’ndryshon Kosova”, ka thënë ajo.

Në fund, ajo falënderoi secilin votues që e mbështeti dhe e ngarkoi, siç tha, me një përgjegjësi të shenjtë ndaj vendit.

“Zoti e bekoftë vendin dhe popullin tonë”, përmbylli reagimin e saj deputetja e re e LDK-së, Adelina Thaçi.