Deputetit të VV-së i pengojnë kritikat për vizitën e dështuar të Kurtit në SHBA

Arbër Rexhaj nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se kritikat e opozitës ndaj vizitës së Kurtit në ShBA po i bëjnë dëm Kosovës.

Rexhaj ka thënë se temat që janë diskutuar në këto takime me senatorë e kongresistë dhe drejtues të institucioneve në Amerikë, kanë qenë investimet amerikane në Kosovë, anëtarësimi në NATO dhe BE, si dhe siguria e Kosovës.

“Vetë kryeministri i Kosovës ka thënë se vizita ka pasur në fokus dy tema, pra sigurinë e Kosovës, dhe si nën temë ka qenë edhe një kërkesë e kryeministrit që të hiqen bazat ushtarake të Serbisë përrreth kufijve të Kosovës, dhe së dyti të bëhet e përhershme baza amerikane në Bonstill”, tha deputeti Rexhaj në RTK.

Sipas tij, kuptimësia e kësaj vizite ka pasur të bëjë me investimet amerikane në Kosovë, një lidhje më e fuqishme ekonomike.

“Vizita e Kurtit për ne është mjaft e suksesshme sepse realisht ai ka shkuar për këto dy tema, ajo e sigurisë kombëtare dhe investimet ekonomike në Kosovë, dhe se agjendën që e ka pasur Kurti, e ka realizuar në përpikëri dhe qëllimi i kryeministrit rreth temave të përcaktuara është arritur”, tha Rexhaj.