OKB

Deputeti ukrainas përgëzon Ramën: Bëri punë të mirë, ishte gjuha e duhur për Rusinë



Deputeti ukrainas Oleksiy Goncharenko përgëzoi qasjen e kryeministrit Rama në Këshillin e Sigurimit në OKB ndaj Rusisë dhe Ukrainës. Sipas deputetit është shumë e rëndësishme mbështetja që kanë marrë për integritetin territorial.

“Mendoj se kryeministri i Shqipërisë Edi Rama bëri një punë shumë të mirë. Ai foli qartë dhe sakte dhe veproi mirë kur ndaloi ambasadorin rus që po ngrinte akuza kundër Ukrainës.

E veçantë ishte pjesa kur Rama i tha ambasadorit se nëse nuk donte të dëgjonte Ukrainën atëherë ishte i lirë të largohej. Kjo ishte gjëja e duhur,” – u shpreh Goncharenko.

Deputeti ukrainas shtoi gjatë intervistës për Euronews Albania se është qesharake të thuash në Këshillin e Sigurimit qe Rusia po përpiqet të ofrojë opsione për paqe.

Ndërkohë sa i takon një mundësie për të arritur paqen mes Ukrainës dhe Rusisë pas një viti e gjysmë luftë, Goncharenko tha: “Nuk ka asnjë negociatë mes Ukrainës dhe Rusisë.

Ne jemi të qartë për qëndrimin tonë që nuk mund t’i lëmë asnjë territor Rusisë. Plani i paraqitur nga presidenti Zelensky në Kombet e Bashkuara e konfirmon këtë pozicion.

Edhe pse ne jemi të gatshëm të bisedojmë për paqen, është Rusia ajo që do të ruajë kontrollin mbi disa territore ukrainase, por jemi ne që nuk do ta pranojmë kurrë këtë”, shtoi deputeti ukrainas.