Deputeti Tolaj: Lavdërimi i Kurtit përmes poshtërimit të UÇK-së, i turpshëm dhe i ulët

Deputeti i AAK-së, Arbër Tolaj, ka reaguar ndaj nënkryetares së LVV-së dhe deputetes, Fatmire Mulhaxha -Klloçaku, e cila mbrëmë ka postuar në profilin e saj një citat të një analisti serb, që ka thënë se ‘Kurti në përballje me Serbinë është më i fortë sepse nuk ka dosje kriminale të UÇK-së’.

“Citimi i analistëve serb nga ana e nënkryetares së VV-së, Fatmire Mulhaxha, me qëllim të ngritjes së Kurtit dhe nënvlerësimit të UÇK-së, është veprim jo vetëm i pa menduar mirë, por i turpshëm dhe dëshpërues njëkohësisht”, theksoi ai.

Ndër të tjera, ai tha se tendenca e saj për përfitim të poenëve politik, nëpërmjet gjuhës së analistëve serb, është e dhimbshme po aq sa fyese, sikundër që nuk i bën nder as subjektit të saj politik.

“Ja rikujtojmë Zonjës Mulhaxha, por edhe atyre që mendojnë si ajo se Lufta e UÇK-së, mbetet pjesa më e ndritur e historisë së Kosovës.Krenar përjetësisht dhe pafundësisht me vlerat sublime të UÇK-së”, shkroi deputeti Tolaj në profilin e tij në facebook.