Elmi Reçica

Deputeti Reçica e quan ‘çun’ ministrin Murati, i reagon Konjufca

Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit për shqyrtimin e Projektligjit për buxhetin e vitit 2022 në lexim të dytë, përkatësisht për amendamentin numër 13 pati përplasje ndërmjet deputetit Elmi Reçica dhe ministrit të Financave, Hekuran Murati, e ku pastaj u përfshi edhe kryeparlamentari Glauk Konjufca.

Derisa e ka kundërshtuar amendamentin 13 që parasheh ndarjen e 150 mijë euro për restaurimin e shkollës “Gjon Sereqi” në Ferizaj, deputeti Reçica ministrin Murati e ka quajtur “çun i ri” dhe i ka kërkuar që mos të bëjë politikë për këtë shkollë.

“Nuk po bëjmë këtu politikë, edhe ministri është mirë si çun i ri që është, mos me bë politikë me këtë çështje. Nuk është mirë me bë politika, ka qenë dashur në aspektin financiar me sqaruar atë çështje… Duhet me pas konsideratë që Agim Aliu, me atë projekt, jo për parking, por për parqe që i mungojnë qytetit e ka fituar garën zgjedhore qysh më 17 tetor. Kjo është esenca”.

Ndaj kësaj deklarate ka reaguar, kryetari Konjufca, i cili tha se Murati është ministër.

“Statusi i Hekuran Muratit është ministër, jo çun”, theksoi Konjufca.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati tha se “Projekti që u përmend nga deputeti Reçica, për rrënimin e shkollës është ardhur kryesisht si rezultat i ndërtimit apo i betonimit rreth e rreth shkollës me ndërtesa, të lejuara që të ndërtohen dhe ta bllokojnë të gjithë hapësirën aty nga vet komuna. Megjithatë, me dijeninë që kam, ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, tashmë këtë objekt e ka futur apo e ka vlerësuar si trashëgimi kulturore dhe synimi është që të restaurohet dhe të mbrohet, pasi që bëhet fjalë për shkollën më të madhe në Kosovë, që ka qenë që prej para luftës. Pra, të ruhet si trashëgimi kulturore, e jo të rrënohet e të akomodohen për parkingje, për xhungël që është krijuar në komunë”.

Kuvendi po vazhdon shqyrtimin e amendamenteve të propozuara nga deputetët.