Milaim Zeka
Deputeti pyet Kryeprokurorin: Pse arrestohet një deputet për një fjalë e lihet i lirë dikush që ka armë e drogë?
Deputeti i NISMA’s, Milaim Zeka, ka thënë se është e çuditshme se si lihet i lirë një person ndaj të cilit është gjetur armë, drogë e thikë, ndërsa, prangosen deputet veç për një deklaratë.
Milaim Zeka e Shkumbin Demalijaj, deputetë të Parlamentit të Kosovës, ishin arrestuar para disa javësh veç pse kishin dhënë deklarata nëpër televizione. Ato deklarata ishin cilësuar si kërcënime.
Ndërsa, djalin e Shefit të AKI’së e kanë zënë me armë e drogë dhe të njëjtin e kanë liruar në procedurë të rregullt.
Deputeti i NISMA’s, Milaim Zeka ka thënë se sistemi aktual i drejtësisë po shkon drejt sistemit diktatorial për shkak të standardeve të dyfishta ndaj qytetarëve të këtij vendi.
“Deputeti arrestohet për një deklaratë, kurse rasti i vjedhjes me revole e me drogë, mos me pasë zbulu rastin gazetarët, kurrë nuk ishte procedu në Prokurori”, ka thënë Zeka, për Express, të shtunën.
“A deputetët ia ngjasin prangat veç për një deklaratë. Këta e kanë bërë këtë vend diktatorial”, ka shtuar ai.
Zeka ka thënë se prapa rastit të djalit të Shpend Ahmetit fshihet një zingjirë i tërë i sistemit të drejtësisë duke përfshirë edhe Kryeprokurorin e Shtetit e Presidentin Hashim Thaçi.
“Prej sodit Shpend Maxhuni e ka forcu pozicionin e vet si Shef i AKI’së dhe i ka betonu raportet me Thacin. Sepse Thaçi të ka jaran e mik vec kur ta kapë bishtin me derë”, ka parashikuar Zeka.
Në orët e vona të datës 13 tetor të këtij viti, Policia e Kosovës e ka ndalur një veturë të tipit “Golf”. Në veturë kanë qenë tre persona. Armë dhe drogë u gjetën në veturën e babait të shefit të AKI-së, Shpend Maxhuni, madje i dyshuar është edhe vetë ai.
Gazeta Express ka biseduar me anëtarin e Komisionit parlamentar për Mbikëqyrjen e AKI’së, deputetin Zafir Berisha, i cili ka thënë se për këtë do t’ia kërkojë dorëheqjen Shpend Maxhunit.
Përveç revolës së llojit, “Zastava” tek djali i një prej njerëzve kryesorë të sigurisë në Kosovë është gjetur edhe një karikator me fishekë dhe një thikë.
“Me datën 12.10.2018 rreth orës 21:05, njësia policore gjatë patrullimit në fshatin Zllatar, kanë hasur në një veturë Golf IV, me targa 01-8840-IG, ngjyrë e zezë. Gjatë kontrollimit, te personave që ishin në veturë, tek i dyshuari Shpetim Maxhuni dtl. 05.08.1998 kanë gjetur një revole të llojit “Zastava” me nr serik ET-971053, me një karikator dhe katër fishekë cal. 6.35 mm si dhe një thikë POHL-FORCE“, .
Bëhet e ditur se rasti është iniciuar si i tillë me udhëzim të prokurorisë kujdestare në procedurë të rregullt.
Edhe zv.kryeprokurori e Prishtinës, Ibrahim Berishën, e ka konfirmuar se dje pasdite është dorëzuar në prokurori një kallzim penal lidhur me këtë çështje, mirëpo ai tha se nuk e di se për kë saktësisht bëhet fjalë.
Berisha, gjithashtu bëri të ditur se Prokuroria tashmë është duke e hetuar këtë rast.
Që nga pas lufta Shpend Maxhuni është në hierarkinë e institucioneve të sigurisë. Fillimisht ishte Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, e tash Shef i Agjencisë Inteligjente të Kosovës.