Thotë se nuk i janë dashur më shumë se pesë minuta kohë për të bërë një hulumtim i cili vë në pah një zhvillim të ri në vend.

Jetëgjatësinë e qytetarëve të Kosovës.

“Sa për korrektësi”, nis shkrimin e shkurtër në llogarinë e tij në Facebook, Dimal Basha, Deputet i Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.

“Për 5 minuta hulumtim në telefon dore arrita me gjetë që jetëgjatësia në Kosovë është përafërsisht 70 vjet, e jo 65”, tregon Basha.

Por, përtej kësaj, ai është i bindur që jetëgjatësia në Kosovë do të rritet edhe më shumë.

“Dhe kjo miq të dashur pritet të rritet gjatë viteve në vijim”.

Basha nuk jep më shumë detaje, se si e ka paraparë rritjen e jetëgjatësisë në Kosovë por shkrimin e tij enigmatik e mbyll me një fjali tashmë të njohur në mesin e deputetëve të Vetëvendosjes, “nuk bahet me propagandë, veç me statistika”, thotë ai.

Por, bashkë me shkrimin ai ka publikuar edhe disa statistika të Bankës Botërore, të cilat tregojnë ngritjen graduale të viteve të jetesës për femrat dhe meshkujt në Kosovë.

Në vitin 2019, sipas kësaj tabele që ka publikuar vetë Basha, thuhet se mesatarja e jetëgjatësisë së femrave shkon në 74.8 ndërsa tek meshkujt 70.3 vjet.

Ndërsa sipas parashikimit të këtyre të dhënave, në vitin 2061 mund të shkoj deri në 90 vjet ndërsa për meshkuj deri 80.

Këtë “informatë shumë të rëndësishme”, deputeti Basha e ka ndarë me ndjekësit e tij, një ditë para votimit në Kuvend të Kosovës, të kërkesës për tërheqje te mjeteve nga Trusti pensional.

Kërkesë kjo e qytetarëve të Kosovës e adresuar nga deputetët e opozitës, e cila nuk po mbështetet nga deputetët e Vetëvendosjes.

“Unë të votova ty, ti votoje trustin”, “Djersa është e jona, lejoni kursimet tona”, “Trusti është i joni jo i Qeverisë”, janë disa nga thirrjet e qytetarëve në këtë protestë.