Deputeti

Deputeti i VV-së: Pas shkarkimeve e largimeve, do të ketë edhe llogaridhënie para drejtësisë

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hajrulla Çeku thotë se pas shkarkimit të Bordit të Telekomit, do të shkarkohen të gjitha agjencitë dhe ndërmarrjet publike që janë në Kosovë.

“Pas shkarkimit të bordit të Telekomit është paralajmëruar nga qeveria,  kjo do të vazhdojë dhe nuk është selektim i qëllimshëm por nga diku është dashtë të fillojë e gjithë procedurë dhe ka filluar me Telekomin sepse unë besoj se Telekomi simbolizon një lloj të keqe që ka ndodh në vitet e fundit në Kosovë në raport me menaxhimin e ndërmarrjeve publike dhe paranë publike dhe prandaj ky është vetëm fillimi dhe kështu do të vazhdohet edhe me ndërmarrjet tjera publike si dhe me agjencitë e tjera. Janë të gjitha agjencitë dhe ndërmarrjet publike që i ka Kosova dhe unë nëse përmendi disa prej tyre mund të aludohet se kështu është renditje sepse kështu doli edhe një informatë me RTK-në dje dhe nuk ka të bëjë fare, unë nuk e di renditjen teknike sepse është punë e qeverisë”, thotë ai.

Ai thotë se vendimi për shkarkimin e Bordit të Telekomit ka ardhur në bazë të raportit të Auditorit. Më tutje ai thotë se ka qenë një vendim i domosdoshëm ligjor para se të jetë politik.

“Bordi i Telekomit është shkarkuar me vendim të qeverisë së Kosovës bazuar në raportin e zyrës së auditorit të përgjithshëm i cili raport ka konstatuar shkelje të panumërta që kanë ndodh në këtë ndërmarrje publike për shumë vite. Por specifikisht për këto vitet e fundit ku flitet për keq menaxhim financiar, për mos arritje të objektivave financiare të ndërmarrjes, për keqpërdorime në procese të prokurimeve publike për punësime të parregullta. Unë besoj që ky ka qenë një vendim i domosdoshëm ligjor para se të jetë politik se qysh po interpretohet sepse edhe ligji e obligon qeverinë se sa herë auditori i përgjithshëm zbulon dhe gjen parregullsi të tilla të merren veprime të menjëhershme dhe ky ka qenë veprimi i parë i domosdoshëm shkarkimi i bordit në mënyrë që atyre njerëzve të mos u jepet mundësia të vazhdojnë të qëndrojnë aty dhe të mos bëjnë keqpërdorime të reja”, thotë ai për Ekonomia Online.

Ai ka shtuar se hapi i dytë do të jetë llogaridhënia, që ato të gjetura mos të përfundojnë vetëm me shkarkim dhe largim por edhe që të iniciohen procedura adekuate në institucionet e drejtësisë.

“Kjo nuk duhet të ndalet këtu dhe mendoj që hapi i dytë të jetë llogaridhënia dhe këtu ka nevojë që zyra e auditorit përgjithshëm dhe raportet e këtij institucioni të kenë një lloj komunikimi pak ma të afërt me prokurorinë e shtetit në mënyrë që ato të gjetura të mos përfundojnë vetëm me shkarkim dhe largim të këtyre njerëzve por edhe të iniciohen edhe procedura adekuate në institucionet e drejtësisë”, thotë ai.

Çeku i quajti paragjykime opinionet që kinse këto shkarkime janë bërë për të futur njerëz të afërt me partitë në pushtet.

“Nëse ka mendime të këtilla në këtë fazë ato mund të klasifikohen vetëm si paragjykime dhe si një lloj kritike pa përmbajtje që i bëhet një qeverie që ka vetëm që dy javë që ka nisur punën. Unë jam i bindur që veprimet janë ligjore ndërsa pjesa e tjetër duhet të jetë ristrukturimi i këtyre bordeve dhe ndërmarrjeve në përgjithësi”, thotë ai.

Paralajmërimet e opozitës për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme për taksën, Çeku po i sheh si të natyrshme, teksa shton se do t’i përgjigjën thirrjes pozitivisht.

“Unë besoj që është e drejtë legjitime e deputetëve që të thërrasin seancë të jashtëzakonshme dhe natyrisht që kjo e drejtë materializohet me mbledhjen e numrit të caktuar të nënshkrimeve nëse do të ketë një vendim të këtillë pas mbledhjes së nënshkrimeve natyrisht ne si grup parlamentar i VV-së do t’i përgjigjemi të gjitha festave për diskutim dhe debat publik në parlament”, thotë ai.

Ai për reciprocitetin thotë se është duke u hartuar një analizë që do të vendos bazat e politikës së reciprocitetit e cila është porositi nga qeveria.

“Në këtë moment është duke u hartuar një analizë e cila po i vendos shtyllat dhe bazat e politikës së reciprocitetit dhe kjo është porosit nga qeveria dhe kryeministri dhe një grup i ekspertëve janë duke punuar në këtë analizë dhe momentin kur kjo analizë arrin në adresën e qeverisë dhe te Kryeministri atëherë do të ketë edhe një ide me të qartë se kur mund të fillojë dhe si mund të materializohet kjo politikë”, thotë ai.

Kurti në mbledhjen e fundit të qeverisë shkarkoi Bordin e Telekomit, kurse dje nga Stantërgu paralajmëroi shkarkime të tjera të bordeve dhe ndërmarrjeve publike.