Deputeti i VV-së: Nuk i frikësohemi Arben Gashit

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fitim Uka, ka dhënë versionin e tij të ngjarjes për përleshjen fizike mes deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

I ftuar në emisionin “Frontal” në T7, Uka ka thënë se asnjë nga deputetët nuk i frikësohet Arben Gashit të LDK-së, ndërsa zv/kryeministrin Driton Selmanaj e ka quajtur “djalë të sendviçave”.

“Çështja për të pagjeturit ka qenë totalisht e gabuar, deputetët e LVV-së u përpoqën të shfaqin argumentet…Pati një varg akuzash nga kryeministri Hoti, një gjuhë arrogante, duke e quajtur të ligë fjalimin e nënkryetares Arbërie Nagavci, ajo nuk është fyerje vetëm në drejtim të nënkryetares por në drejtim të të gjithë deputetëve…Ky lloj tensionimi vazhdoi edhe tutje, nga djali i sendviçave, i cili në vazhdimësi ka tendencë të fyej deputetët e opozititës në një gjuhë aspak parlamentare”, tha Uka në Frontal.

Uka tha se ata “shiten agresivë në raport me deputetët por janë shumë të butë në raport me Serbinë, mbase për faktin që Qeveria varet nga votat e Serbisë”.

Tutje ai tha se situata ka përshkallëzuar kur deputetja Saranda Bogujevci është prekur në familje.

“Nxemja e gjakut nuk është hera e parë për Arben Gashin, është hera e tretë që reagon në Kuvendin e Kosovës”, tha ai.

I pyetur se a pati përleshje fizike mes deputetëve, deputeti Uka tha se ka pasur vetëm përleshje verbale.

“Unë kam qenë në Kuvend ka pas përplasje verbale, i vetmi që ka qenë fyes ka qenë deputeti Gashi, kur ai ka shkuar është qetësuar situata”, tha ai.

Tutje, Uka tha se partitë në pushtet nuk kanë bërë asgjë për të pagjeturit, që 20 vjet.