Deputeti i VV-së i kundërpërgjigjet Abdixhikut të LDK-së: Njëmend e kemi!

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, i është kundërpërgjigjur deputetit të LDK-së, Lumir Abdixhiku pas përplasjeve të fundit që kulmuan me intervistën e nënkryetarit të VV-së, Glauk Konjufca.

Murati ka thënë se LDK dhe VV janë pajtuar për programin qeverisës dhe se tani nuk është koha për kushtëzime.

“Njëmend e kemi! Tashmë jemi pajtuar për programin, dhe ndarjen e dikastereve ministrore 5 me 5”, ka shkruar Murati në rrjetin social Facebook.

“Megjithëse fitues, u pajtuam të ndajmë përgjegjësitë qeverisëse përgjysmë, sipas formulës së propozuar nga ju. Madje edhe zgjodhët të parët”

“Le të mos bëhemi peng i kushtëzimeve përtej asaj për çka votuan qytetarët më 6 tetor!”

Pas intervistës së sontme të nënkryetarit të VV-së, Glauk Konjufca ku tha se LDK-ja po kërkon postin e presidentit edhe pse nuk i takon, ka reaguar deputeti i zgjedhur i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

“Marrëveshjet e mosmarrveshjet mes partnerëve – po qenë e po u panë si të tillë njëmend – zgjidhen mes vete, sy më sy, e jo me ofendime nëpër studio televizive”, ka shkruar fillimisht Abdixhiku.

Ai i ka quajtur deklarata të pamatura ato që sonte i tha Konjufca.

“Deklarata të pamatura dhe pa kohë e vendosin mundësinë e bashkëpunimit disa hapa prapa. Ndoshta dhe ky është qëllimi. Propagandë për propagandë jemi ngopur mjaftë. Por nëse e kanë njëmend, me respekt ndaj njëri tjetrit e me respekt ndaj vullnetit qytetar, këtu jemi. Plot 28 deputetë të 206 mijë votuesve kosovarë”, ka shkruar në fund Abdixhiku.

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosjes, Glauk Konjufca ka thënë sonte se qasje e LDK-së se atyre me çdo kush iu takon pozita e presidentit, çon në dështimin e marrëveshjes për koalicion.

“Është e palogjikshme me qenë ekuivalent kryeministri me presidentin. Kryeministrin e zgjedh populli, e presidentin jo. Prandaj nëse LDK-ja insiston se duhet të ketë presidentin, kryeparlamentarin dhe ndarjen e ministrive 50-50, atëherë marrëveshja është e paarritshme”, ka thënë Konjufca në T7, transmeton Ballkani.info.

Tutje ai ka thënë se pozita e presidentit është e padiskutueshme dhe se nuk do të hyjë në marrëveshjen eventuale për koalicion VV-LDK.

“Është e pasinqetë insistimi i LDK-së, s’ka logjikë. Ata po kushtëzojnë dhe kështu nuk bëhet”, ka thënë Konjufca. /Ballkani.info/